Përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale është bërë pjesë e përditshmërisë sonë. I përdorim për të shkruar dokumente, për të përgatitur prezantime, për të marrë këshilla dhe për të zgjidhur detyra të ndryshme.
Megjithatë, ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se ndarja e informacioneve personale dhe profesionale me këto platforma mund të sjellë pasoja serioze. Sipas një studimi, 38 për qind e përdoruesve të rregullt kanë pranuar se kanë ndarë të dhëna konfidenciale të punës pa lejen e punëdhënësit.
Ja gjashtë gabimet që duhet të shmangni:
1. T’i trajtosh platformat si persona të besuar
Inteligjenca artificiale nuk është një mik të cilit mund t’i tregoni sekretet. Informacionet e ndara mund të ekspozohen në rast të problemeve të sigurisë ose rrjedhjes së të dhënave. Kjo mund të rrezikojë edhe vendin e punës, nëse bëhet fjalë për informacione konfidenciale të kompanisë.
2. Të ngarkosh dokumente konfidenciale të punës
Raportet, prezantimet dhe dokumentet e kompanisë mund të përmbajnë të dhëna të klientëve, informacione financiare apo sekrete tregtare. Ngarkimi i tyre në platforma të jashtme pa lejen përkatëse mund të shkelë rregullat e kompanisë dhe të ekspozojë informacione të rëndësishme.
3. Të ndash fjalëkalimet dhe kodet e hyrjes
Disa përdorues vendosin fjalëkalimet dhe të dhënat e llogarive në bisedat me inteligjencën artificiale për të marrë ndihmë teknike. Ekspertët këshillojnë të mos bëhet kjo, pasi këto sisteme nuk janë krijuar për të garantuar ruajtjen e sekreteve personale.
4. Jep informacione personale dhe të dhëna identifikimi
Adresa e banimit, numrat e dokumenteve, fotografitë dhe të dhënat e familjarëve mund të keqpërdoren për mashtrime apo vjedhje identiteti. Ato mund të përdoren edhe për krijimin e fotografive dhe videove të rreme, duke dëmtuar reputacionin dhe financat tuaja.
5. Të ndash informacione private financiare
Edhe pse inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në shpjegimin e çështjeve financiare, nuk duhet të mbështeteni verbërisht tek ajo për vendime të rëndësishme. Përgjigjet dhe përllogaritjet mund të jenë të pasakta, duke sjellë humbje financiare.
6. Të ngarkosh kodet dhe sekretet tregtare të kompanisë
Punonjësit që përdorin inteligjencën artificiale për programim shpesh ndajnë kode kompjuterike dhe dokumente të brendshme. Në varësi të kushteve të platformës, këto materiale mund të ruhen ose të përdoren për përmirësimin e sistemeve, duke rrezikuar ekspozimin e pronës intelektuale dhe sekretet e kompanisë.