Shpesh, kur hyjmë në një lidhje dashurie, presim që partneri të na kuptojë gjithmonë, të na mbështesë në çdo moment dhe të sillet pikërisht ashtu siç dëshirojmë. Por një marrëdhënie e shëndetshme nuk do të thotë që dy njerëz duhet të plotësojnë çdo nevojë të njëri-tjetrit. Ajo kërkon përpjekje, mirëkuptim dhe hapësirë për të qenë vetvetja.
Sipas, terapistit Todd Baratz theksohet se disa pritshmëritë, edhe kur duken të natyrshme, mund të ushtrojnë presion të panevojshëm mbi marrëdhënien.
1. Të presësh që partneri të të japë vazhdimisht siguri emocionale
Është normale të dëshirojmë që partneri të na kuptojë, të na dëgjojë dhe të na bëjë të ndihemi të vlerësuar. Megjithatë, nuk mund të presim që ai të na japë siguri emocionale në çdo moment.
Ndonjëherë partneri mund të jetë i lodhur, i shqetësuar ose të mos ketë mundësi të na ofrojë mbështetjen që kërkojmë. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se nuk na do apo se marrëdhënia po shkon keq.
2. Të dëshironi të kaloni çdo moment së bashku
Dashuria nuk do të thotë që dy njerëz duhet të jenë gjithmonë pranë njëri-tjetrit. Edhe në një marrëdhënie të fortë, secili ka nevojë për kohën, interesat dhe aktivitetet e veta.
Të kalosh kohë vetëm, të takosh miqtë ose të merresh me një pasion personal nuk do të thotë se po largohesh nga partneri. Përkundrazi, ruajtja e individualitetit mund ta bëjë kohën që kaloni së bashku më të vlefshme.
3. Të presësh dashuri pa asnjë kusht
Shpesh dëgjojmë se dashuria e vërtetë duhet të jetë e pakushtëzuar. Megjithatë, sipas terapistit të cituar në artikull, marrëdhëniet mes të rriturve kërkojnë edhe respekt, përgjegjësi dhe kënaqësi të ndërsjellë.
Të duash dikë nuk do të thotë të pranosh çdo sjellje të tij, pavarësisht pasojave. Nëse marrëdhënia bëhet e dëmshme, mungon respekti ose shkelen vazhdimisht kufijtë personalë, askush nuk është i detyruar të qëndrojë vetëm sepse ka ende ndjenja.
4. Të presësh që partneri të të admirojë gjatë gjithë kohës
Është bukur të ndihesh i dëshiruar dhe i vlerësuar nga njeriu që do. Por është jorealiste të presësh që partneri të të lavdërojë, të të admirojë apo të ta shprehë dashurinë në çdo moment.
Fakti që ai nuk e shpreh vazhdimisht atë që ndien nuk do të thotë automatikisht se ndjenjat e tij janë zhdukur. Njerëzit kanë mënyra të ndryshme për të treguar dashurinë dhe jo gjithmonë e shprehin atë me fjalë.
5. Të presësh që partneri të komunikojë njësoj si ti
Njëri mund të preferojë t’i diskutojë menjëherë problemet, ndërsa tjetri mund të ketë nevojë për kohë për të kuptuar emocionet e veta përpara se të flasë.
Këto ndryshime nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se dy njerëzit nuk përputhen. Problemi lind kur asnjëri nuk përpiqet të kuptojë mënyrën se si komunikon tjetri.
6. Të keni të njëjtat interesa dhe hobi
Nuk është e nevojshme që partnerët të pëlqejnë të njëjtat gjëra për të pasur një marrëdhënie të mirë. Njëri mund të pëlqejë sportin, ndërsa tjetri preferon librat, gatimin apo shëtitjet në natyrë.
Është e rëndësishme të keni aktivitete të përbashkëta, por edhe hapësira personale që ju lejojnë të zhvilloni interesat tuaja.
7. Të presësh që çdo konflikt të zgjidhet në mënyrë të përsosur
Mosmarrëveshjet janë pjesë e shumë marrëdhënieve. Ajo që ka rëndësi nuk është shmangia e çdo konflikti, por mënyra se si përballeni me të.
Ndonjëherë një bisedë e sinqertë mjafton për të sqaruar një keqkuptim. Herë të tjera, partnerët mund të mos bien plotësisht dakord dhe duhet të mësojnë të ecin përpara pa e kthyer çdo debat në një luftë për të pasur të drejtë.
Kjo nuk do të thotë të injoroni problemet serioze apo të pranoni sjellje të dëmshme. Do të thotë të kuptoni se jo çdo mosmarrëveshje kërkon një zgjidhje të përsosur dhe të menjëhershme.
8. Të presësh që partneri të ketë të njëjtin motivim profesional si ti
Për disa njerëz, karriera dhe suksesi profesional janë përparësi kryesore. Të tjerë i japin më shumë rëndësi kohës së lirë, familjes apo një jete më të qetë.
Problemet mund të lindin kur njëri partner pret që tjetri të ketë të njëjtat ambicie, të punojë po aq shumë ose ta përkufizojë suksesin në të njëjtën mënyrë.