Momentet prekëse kur burri rigjen birin e rrëmbyer, të cilin e kërkoi për 24 vjet në Kinë

Një burrë kinez është ribashkuar së fundmi me të birin e tij pasi e kishte kërkuar për 24 vjet, që kur ishte grabitur nga dy trafikantë fëmijësh para shtëpisë së tij kur ishte dy vjeç.


Prej vitit 1997 babai në kërkim të birit, kishte përshkruar rreth 500 000 kilometra me motoçikletë, duke kaluar nëpër qytete me flamur me foton e të birit nga pas.

Djali i Guo Gangtang ishte rrëmbyer në provincën Shandong në 1997 dhe për më shumë se dy dekada babai i tij udhëtoi në të gjithë Kinën duke e kërkuar, në një sipërmarrje që frymëzoi dhe filmin e vitit 2015 “Dashuri e humbur” me aktorin e njohur nga Hong Kong, Andy Lau.

Rrëmbimet e fëmijëve kanë qenë prej kohësh një problem në Kinë.

Ministria e sigurisë së Kinës tha se kishte arritur të gjurmonte të birin e humbur me anë të gjurmëve të ADN-së.

Më vonë dy të dyshuar u arrestuan nga autoritetet, sipas raportimit të ‘Global Times’.

Në kohën e rrëmbimit, burri dhe gruaja që u arrestuan ishin çift, dhe kishin planifikuar rrëmbimin e një fëmije me qëllim ta shisnin në këmbim të parave, thanë mediat vendase.

Pas rrëmbimit ata ishin nisur me autobuz drejt provincës Henan dhe e kishin shitur aty.

Policia nuk dha detaje të familjes që e kishte blerë djalin.

Në videon emocionale të ribashkimit, të publikuar nga ministria e brendshme, Guo shihet që qan me duart në fytyrë, teksa edhe gruaja e tij përqafon të birin Guo Zhen.

Guo thotë: “Tani që fëmija im është gjetur, çdo gjë mund të jetë e lumtur për ne.”

Pas rrëmbimit në 1997, Guo kishte udhëtuar në më shumë se 20 provinca të Kinës me motoçikletën e tij, bazuar në informacionet marra nga banorët. Gjatë rrugëtimit të tij ai kishte thyer kocka në aksidente, madje dhe ishte grabitur në autostradë. Të paktën dhjetë motoçikleta ishin konsumuar në vitet e kërkimit te tij, teksa udhëtonte me një flamur të madh me foton e djalit të tij, që valëvitej prapa motorit.

Në misionin e tij burri kishte shpenzuar kursimet e jetës, kishte fjetur jashtë dhe kishte lypur para kur i ishin mbaruar mjetet e udhëtimit.

Gjatë kërkimit të të birit ai ishte kthyer gjithashtu në një aktivist të famshëm të fëmijëve të humbur në Kinë, dhe kishte ndihmuar të paktën shtatë çifte prindërish të bashkoheshin me fëmijët e tyre të rrëmbyer.