Gjithnjë e më shumë njerëz po i drejtohen inteligjencës artificiale për të diskutuar çështje të ndjeshme personale, por sipas CEO-së së OpenAI, Sam Altman, këto biseda nuk janë plotësisht të mbrojtura nga aspekti ligjor.

Gjatë një interviste në podcast-in “This Past Weekend” me Theo Von, Altman vuri në dukje se ndryshe nga bisedat me një psikolog apo avokat, komunikimi me ChatGPT nuk gëzon të njëjtin nivel konfidencialiteti.

“Përdoruesit ndajnë shpesh informacione tepër personale, por nëse përfshihemi në një çështje ligjore, mund të na kërkohet t’i dorëzojmë ato biseda,” shpjegoi Altman.
Ai theksoi se veçanërisht të rinjtë kanë prirje të kërkojnë mbështetje emocionale nga inteligjenca artificiale, duke ndarë shqetësime si ankthi, vetmia apo problemet në marrëdhënie. Por shumë prej tyre nuk janë të vetëdijshëm se bisedat me ChatGPT ruhen deri në 30 ditë dhe, në raste të caktuara, mund të analizohen për arsye sigurie ose ligjore.

Reklamë

Altman apeloi për krijimin e një kuadri ligjor të ri që të garantojë mbrojtjen e këtyre bisedave, njësoj siç mbrohen komunikimet me profesionistë të fushës së ligjit apo shëndetit mendor.