×
  • Lajme
  • Intervista / Flet ish-komandanti i FSK-së

    Kadri Kastrati: Sulmi terrorist në veri me dijeni të Vuçiqit e Vulinit, qëllimi ishte shpallja e autonomisë mbi lumin Ibër

    Autor:Blendi Gashi
    30 Shtator 2023 | 14:51

    Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, thotë se qëllimi i terroristëve serbë më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ka qenë të fillojnë një konflikt dhe të dalin mbi lumin Ibër që të shpallin një lloj autonomie.

    Kastrati thotë se sulmi terrorist është bërë me dijen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe të shefit të Inteligjencës serbe, Aleksandër Vulinit dhe mund të jetë kryer edhe me direktiva nga Rusia,

    Ish-komandati Kastrati në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net thotë se faktori ndërkombëtarë duhet të bëjë presion te Serbia që terroristët serbë të përgjigjen para drejtësisë në Kosovë.

    Ai thotë se nëse rrezikohet Kosova, me urdhrin e Presidentes mund të aktivizojë Forcën e Sigurisë së Kosovës, por shton se derisa është NATO e KFORI nuk ka rrezik të sulmit direkt nga Serbia.

    I pyetur për deklaratën e bërë sot nga kryeministri Albin Kurti i cili tha se zotimi i Thaçit ndaj NATO-s nuk e lejon dërgimin e FSK-së në Veri, Kastrati i cili ka qenë komandat i FSK-së në vitin 2013, thotë se ka qenë një dakordim që FSK mos të dislokohet në veri pa koordinim me ta, por jo një urdhër e as ndalim.

    Lexoni të plotë intervistën me ish-komandatin e FSK-së, gjeneral Kadri Kastrati dhënë për Reporteri.net:

    Më 24 shtator ndodhi një sulm nga terroristë serbë në Banjskë të Zveçanit. A ka qenë një plan për nisjen e një lufte të re në Kosovë?

    Qëllimi ka qenë që të bëjnë masakra brenda Manastirit te pelegrinët edhe ndonjë tjetër dhe t’ia lënë fajin Policisë së Kosovës, të ngritin popullin në atë pjesë dhe t’i aktivizojnë grupet tjera. Poashtu qëllimi ka qenë ta nisin një konflikt dhe të dalin në lumin Ibër që të shpallin një lloj autonomie dhe bllokade që institucionet e Kosovës dhe KFOR-i të mos dalin në atë pjesë.

    Ka qenë një rrezik potencial edhe për forcat ndërkombëtare në Kosovë, sepse ato grupe terroriste nuk kishin zgjedhur kënd do ta sulmonin për ta arritur qëllimin e tyre.

    Ky grup ka qenë i përzier me serb lokal që kanë kryer trajnime në Rashkë dhe në kazermat serbe nga Njësitë Speciale të Serbisë dhe dyshohet se ka pasur edhe rus.

    Ky sulm terrorist a është me mbështetje nga Serbia dhe i planifikuar shumë kohë më parë?

    Absolutisht ky sulm terrorist ka qenë i planifikuar më parë, sepse siç dihet Vuçiqi ka kërkuar disa here që të largohet forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës nga veri , dhe me largimin eventual do të mundoheshin ta realizonin projektin e tyre. Pra gjithçka është bërë me dijen e Vuçiqit dhe Aleksandër Vulinit që njihet si djali i Putinit.

     A mund të jetë kryer sulmi terrorist edhe me direktiva nga Rusia?

    Absolutisht po, sepse me shkuarjen e Vulin në Moskë dhe Dodikut, kanë marrv instruksione të qarta atje.

    Rusia synon ta bëjë Ballkanin Perëndimor zone konflikti, dhe ta shpërqendrojë vëmendjen nga lufta në Ukrainë, të jetë prezente në Ballkanin Perëndimor duke e mbajtur nën tension.

    Ky plan ka qenë i ndihmuar edhe nga qendra e spiunazhit në Nish që është qendër ruse, njerëz edhe nga Rusia, pra bashkë me Vulinin, njeriun që është i lidhur direkt me Moskën. 

    Millan Radojiciq tha përmes avokatit se ai ka organizuar gjithçka dhe e ka bërë pa dijeninë e shtetit serb. A është kjo tentativë për të shpëtuar Vuçiqin?

    Padyshim se Millan Radojiçiq ka deklaruar ashtu përmes avokatitit të tij për ta shpëtuar Vuçiqin dhe Serbinë. Të gjithë e dine se e vërteta nuk qëndron siç thotë Radojiçiq, pasi sipas raporteve armatimi ka hyrë dirket nga Serbia, dhe ka qenë i deponuar pesë kilometra afër kufirit me Sebrinë. Dokumentet e gjetura nga Policia e Kosovës tregojnë se ushtria serbe i ka dhënë armatim grupit terrorist, sepse 80 për qind janë armë ushtarake, nuk janë armë që blihen në treg, andaj mbështetja e Serbisë ka qenë në mënyrë direkte.

     A duhet të ekstradohet në Kosovë Radojiciq që të përballet me drejtësinë?

    Është kërkesë e SHBA-ve dhe Blinken që Radojiçiq dhe terroristët tjerë duhet të arrestohen, edhe e shteteve tjera perëndimore që ata të sillen para drejtësisë. Faktori ndërkombëtarë duhet të bëjë presion te Serbia që terroristët serbë të përgjigjen para drejtësisë në Kosovë.

    Serbia ka sjellë trupat ushtarake në kufi me Kosovën për çka njoftoi mbrëmë SHBA dhe kërkoi largimin e tyre. A është një kërcënim i hapur?

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar për lëvizjen e trupave serbe dhe pozicionimin e tyre afër kufirit me Kosovën.
    Kjo është një kërcënim dirket për Republikën e Kosovës dhe jo vetëm, sepse Serbia me dislokimin e forcave ushtarake afër Kosovës rrezikon edhe NATO-n, që është garantuese e ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

    Megjithatë derisa është NATO e KFORI nuk ka rrezik të sulmit direkt në Kosovë nga Serbia.

     A do të ishte e gatshme FSK me ju kundërpërgjigjë ushtrisë serbe? 

    Forca e Sigurisë së Kosovës është në ngritje të kapaciteteve, dhe aktualisht kanë disa kapacitete mirë të ngritura e të trajnuara, kanë armë, dhe nëse rrezikohet Kosova, me urdhrin e Presidentes, ajo forcë do të aktivizohej dhe do ta luftonte ushtrinë e Serbisë. Por jo vetëm ushtria, por duhet thënë se Kosova ka edhe ish ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë tjerë që janë të gatshëm të mobilizohen dhe të dalin në mbrojtje të atdheut, nëse vije situate deri aty.

    Por NATO është në Kosovë dhe nuk besoj që është çmend Serbia të hy në luftë me NATO-n.

    Sot kryeministri Albin Kurti tha se zotimi i Thaçit ndaj NATO-s nuk e lejon dërgimin e FSK-së në Veri. Ju keni qenë komandant i FSK-së, si qëndron e vërteta?

    Në atë kohë kam qenë komandat, në vitin 2013 kur kryeministri atë kohë Hashim Thaçi dhe sekretari i NATO-s, kanë nënshkruar një dakordim, nuk ka qenë as urdhër, as ndalim, por dakordim që FSK mos të dislokohet në veri pa koordinim me ta.

    Për shkak të situatës politike është menduar që nëse pjesëtarët e FSK-së dislokohen në Veri dhe bëjnë atje ushtrime, gjoja se mund t’i pengojë proceset politike, si për marrëveshjen finale që mund të arrinte eventualisht Kosova me Serbinë.

    Kjo ka qene një kërkesë eksplicite e Serbisë, e cila edhe sot po kërkon që Njësitë Speciale të Policisë të Kosovës mos të jenë në veri. Por duhet thënë se Policinë e Kosovës nuk mundet asikush ta ndalojë të jetë në veri, si reaguese e parë që është, e dyta është EULEX-I dhe e treta KFOR-I.

    Megjithatë duhet thënë se nëse vije deri te përkeqësimi i situates, edhe dakordimi mes ish-kryeministrit dhe NATO-s duhet të bie poshtë dhe FSK të kenë të drejtë të kenë në mbrojtjetë asaj pjese.

    Ajo letër shumë shpejt mund të bie poshtë, sepse Ushtria e Kosovës është forcë multientike, dhe nuk është vetëm për shqiptarë, por edhe për komunitetin serb.

    Duhet thënë dy herë ushtarët e FSK-së bashkë me KFOR-in kanë qenë në operacione të kërkim shpëtimit në Veri, me kërkesë të vet komunitetit serb. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!