×
Intervista

Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati: Kurti nuk na ka vizituar asnjëherë, të vijë të shoh nga afër projektet që jemi duke realizuar

Autor:Blendi Gashi
07 Nëntor 2022 | 18:35

Malisheva është komuna e vetme që qeveriset nga partia NISMA Socialdemokrate e Fatmir Limajt. Kjo komunë ka nisur qe disa ditë projektin që ka për qëllim urbanizimin e qytetit që e ka quajtur ‘Malisheva Urbane’.

Gazeta Online Reporteri.net, ka zhvilluar një intervistë me kryetarin e Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili ka treguar në detaje për projektet që ka nisur t’i realizojë, ato që synon t’i përfundojë deri në fund të mandatit, dhe problemin më të madh që ballafaqohet kjo komunë.

I pyetur për mbështetjen eventuale nga Qeveria, kryetari Kastrati ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk e ka vizituar asnjëherë Malishevën, ndërsa i ka bërë thirrje ta bëjë një gjë të tillë, pasi siç thotë do të shoh nga afër projektet që po realizohen.

Në këtë intervistë, ai tregon edhe nëse lideri i partisë Fatmir Limaj mund të rikthehet në PDK, si dhe për gjendjen aktuale të partisë NISMA.

Lexoni intervistën e plotë me kryetarin e Malishevës, Ekrem Kastrati, dhënë për Gazetën Online Reporteri.net:

Reporteri.net: Sipas Institutit GAP, gjatë fushatës keni dhënë 48 premtime, 8 i keni përfunduar, 32 nuk kanë filluar. Cilat janë projektet më madhore që keni realizuar këtë mandat, dhe cilat ju kanë mbetur deri në fund të mandatit që synoni t’i përfundoni?

Ekrem Kastrati: Projektet e Komunës se Malishevës të cilat kanë përfunduar dhe ato që janë në proces janë: fillimi i ndërtimit të rrugës Ibrahim Mazreku, renovimi i QKMF-së, duke përfshirë edhe gjithë infrastrukturën përcjellëse, garazha dhe oborri, ndërtimi i dy çerdheve, në Malishevë dhe në Kijevë. Në Malishevë do të përurohet gjatë muajit nëntor ndërsa në Kijevë është e përfunduar veç kemi pasur problem me stafin, të cilin nuk e ka aprovuar Ministria për vitin aktual, ndërsa e ka paraparë për vitin 2023.

Kemi nënshkruar kontratën për projektin më madhor në historinë e Komunës sonë, pra projekti i Sheshit të Dëshmorëve, një projekt i jashtëzakonshëm që për qëllim ka Urbanizimin e qytetit (Malisheva Urbane).

Kemi ndërtuar pjesën lindore të tribunës në stadiumin ‘Liman Gegaj’, si dhe i zhveshtoreve që parashihet të jenë me standarde ndërkombëtare.

Ministria e Arsimit në bazë të kërkesës së bërë nga Komuna e Malishevës i ka lejuar hapjen edhe të disa drejtimeve të reja për shkollat e mesme, për vitin shkollor 2022/2023. Drejtimet e reja janë: bashkëpunëtor/e profesional i infermierisë, teknik/e i/e sistemeve të TIK, zhvillues/e i aplikacioneve softuerike dhe asistent/e restorani

Janë ndarë bursa për mbi 300 studentë për vitin 2022.

Është bërë subvencionimi i qumështit me 0.03 euro për litër, për të gjithë fermerët të cilët dorëzojnë qumshtin në pika grumbulluese në Komunën e Malishevës.

Kemi ndërtuar 21 kilometra trotuar, kemi asfaltuar rrugica në më shumë se 16 fshatra, kemi nënshkruar edhe disa kontrata të rëndësishme, ku disa janë 3 vjeçare, si: mirëmbajtje e rrugëve gjatë sezonës së verës dhe dimrit, ku këtu përfshihet edhe pastrimi i lumenjve sipas nevojës, mirëmbajtja e rrjetit të kanalizimeve, mirëmbajtja e ndriçimit publik, renovimi i objekteve shkollore, etj.

Gjithashtu, janë në proces të punës edhe projektet në kuadër të programit të efiqiences, ku është duke u rinovuar Shtëpia e Kulturës, Gjimnazi Hamdi Berisha, Objekti i Komunës si shumë shpejt do të filloj edhe renovimi i Palestrës së Sporteve.

Po ashtu, në bashkëpunim me organizatën gjermane ASB, i kemi rinovuar plotësisht zyrat e Shoqatës së Pensionistëve në Malishevë.

Cili është problem më i madh që aktualisht ballafaqohen banorët e komunës suaj? Pra, cilat janë ankesat më të mëdha që ata kanë?

Për të qenë i sinqertë, sfida më e madhe për Komunën tonë është gjetja e një zgjidhe afatgjate për furnizim me ujë të pijes për qytetarët tanë, sepse kapacitetet aktuale janë të pamjaftueshme për të furnizuar me ujë të gjitha vendbanimet e Komunës sonë.

Jemi duke bashkëpunuar me një organizatë ndërkombëtare, e kemi bërë një projekt ideor për tu kyçur me Radoniqin, dhe madje i kemi bërë edhe një kërkesë qeverisë për të hyrë si garantuese për financimin e këtij projekti, që kap një vlerë të madhe financiare e që komuna nuk e përballon dot si e vetme. Jemi ende në pritje të një përgjigje nga Qeveria për këtë çështje.

NISMA pjesë e së cilës parti jeni ka qeverisur me Malishevën qe disa vite. Çfarë energjie të re i keni dhënë ju si kryetar qeverisjes në këtë komunë krahasuar me kryetarët e kaluar?

Është e vërtetë që për Nismën ky është mandati i tretë, ndërsa për mua i pari. Në dy mandatet politikat qeverisëse janë bazuar në zhvillimin dhe ndërtimin e infrastrukturës nëpër fshatra, për shkak se Malisheva dominohet nga zonat rurale. Janë ndërtuar rrugët, shkollat, fushat sportive, trotuare e ndriçim publik.

Ndërsa, ky mandat i yni i tretë për Nismën dhe i pari për mua, që jemi në bashkëkoalicion me LDK-në, është përqendruar në investimet në qytet, në jetësimin e projektit tonë madhor “Malisheva Urbane”, projekt me të cilin edhe kam hyrë në garë elektorale, dhe për të cilin na kanë besuar qytetarët përmes votës.

Pra, e reja e mandatit të tretë për Nismën bashkë me partnerët e koalicionit është projekti Malisheva Urbane.

Ky projekt, veç ka filluar të jetësohet, ku është duke u punuar në ndërtimin e rrugës Ibrahim Mazreku, dhe do të vazhdojë shumë shpejt edhe realizimi i projektit të madh të Sheshit bashkë me segmentet tjera përreth, që do të jetë një projekt i jashtëzakonshëm me të cilin do të ndihen krenarë gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme të gjithë hapësirës së Llapushës dhe më gjerë.

Keni premtuar ngritjen e shtëpisë muze- kulla e Ramdan Shabnit në Kijevë. Kur pritet të fillojë dhe përfundojë ky projekt?

Është e vërtetë, e kemi premtuar, kemi planifikuar buxhet dhe do ta realizojmë gjatë mandatit tonë.

Keni dhënë premtime edhe për pishinën e Banjës, për zhvillimin e saj. Sa keni punuar në këtë drejtim, dhe kur pritet të përfundojë projekti që keni për të?

Sigurisht që për pishinën e Banjës jemi duke parë mundësitë për të realizuar ndonjë projekt të mirë, përmes partneritetit publiko privat. Por, për shkak që koha ishte e shkurtër, ne verën që lamë pas e kemi dhënë në shfrytëzim tek një operator privat konform legjislacionit në fuqi. Me siguri që gjatë mandatit tonë qeverisës premtimi për pishinën e banjës do të jetësohet.

Sa po mbështet Qeveria Kurti komunën e Malishevës? Jeni të kënaqur, apo jeni të lënë anash?

Nuk e kemi ndonjë mbështetje konkrete. Malisheva dhe qytetarët e saj kanë nevojë për përkrahje nga institucionet qendrore, pavarësisht kush i drejton ato.

A ju ka vizituar Kurti ju si kryetar për të pare nga afër problemet që keni si komunë, nëse jo, cila është thirrja juaj për të?

Jo nuk e ka vizituar asnjëherë Komunën e Malishevës. Nuk gabon nëse vjen, sepse mund të sheh nga afër një varg projektesh të mira që qeverisja jonë komunale është duke realizuar në Malishevë.

Ju jeni nga partia NISMA, e cila është jashtë Kuvendit. Kohëve të fundit liderit tuaj Fatmir Limaj i janë bën thirrje nga zyrtarët të PDK-së të kthehet në këtë parti. Ju si i keni parë këto thirrje? Sa ka gjasa të ndodhë kjo?

Nisma të dielën që lamë pas, ka mbajtur një Konventë Politike me moton “Veprat Flasin”, ku nga kjo konferencë kryetari ynë Limaj, i ka bërë thirrje spektrit politik që të bëhen bashkë rreth një Fronti Demokratik për të mirën e vendit, që fatkeqësisht kjo qeverisje nuk është duke bërë thuajse asgjë për Kosovën.

Si është gjendja aktuale e partisë NISMA, sa jeni të organizuar, sa mbani takime me degët e nëndegët?

Në përgjithësi është e mirë. Pra, qeverisim në Komunën e Malishevës, jemi në bashkëqeverisje në disa komuna, asambleistë kemi në pjesën më të madhe të komunave. Vlenë të theksohet se përfaqësuesit e Nismës, kudo që janë duke bërë një angazhim maksimal, duke punuar me përkushtim, gjithnjë në funksion të interesit të qytetarëve dhe vendit.

Takimet janë të rregullta dhe sipas çështjeve politike për të cilat kërkohet qëndrim.

Për fund, cilat janë tre vendet që ja vlen të vizitohen në komunën e Malishevës nga qytetarët por edhe turistët e huaj?

Ujëvara e Mirushës, Pishina e Banjës, Kompleksi i shkronjave të UÇK-së në Ngucat, Shpella e Panorcit, etj. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!