×
Intervista / Kryetari i Vushtrrisë

Ferit Idrizi: Po i realizoj premtimet e dhëna para qytetarëve – do ta ndërtojmë edhe sheshin e qytetit, tregun dhe stadiumin

Autor:Blendi Gashi
23 Shtator 2023 | 12:44

Në muajin dhjetor bëhen dy vjet kur Ferit Idrizi nga PDK ka marrë udhëheqjen e komunës së Vushtrrisë. Ai thotë se po punon pa ndalë për të realizuar premtimet që i ka dhënë para qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore.

Kryetari Idrizi në një intervistë dhënë për Gazetën Online Reporteri.net tregon në detaje për projektet që ka realizuar deri tani dhe se cilat janë projektet më madhore që synon t’i përfundojë deri në fund të mandatit.

Ai në  këtë intervistë tregon nëse mendon të garojë pas dy vitesh për një mandat tjetër në krye të Vushtrrisë, ndërsa flet edhe për kryeministrin Albin Kurti.

Lexoni të plotë intervistën me kryetarin e Vushtrrisë, Ferit Idrizi, dhënë për Reporteri.net:

Reporteri.net: Kanë ikur dy vite të mandatit, si e keni ndryshuar qeverisjen në Vushtrri. Sa keni arritur të realizoni premtimet që keni dhënë?

Ferit Idrizi: Fakti që organizatat joqeveritare e kanë vendos Komunën e Vushtrrisë dhe kryetarin si të parën për mbajtje të premtimeve dhe qeverisje të mirë është një tregues i qartë se kur kemi garuar kemi hyrë me program dhe kemi pasur objektiva të qarta.

Premtimet jam duke i përmbushur të gjitha, dhe duhet thënë se së pari kam krijuar kushtet e punës për punëtorë, pasi kur e kam marrë mandatin duhet ta ceku se nxemja e komunës ka qenë klasike me rrymë e nuk ka pasur as ujë, dhe këto kanë ndryshuar për të mirë, janë krijuar kushtet për punëtorët e administratës.

Cilat janë premtimet që keni realizuar deri tani?

Idrizi: Jemi duke i realizuar të gjitha premtimet e dhëna para qytetarëve të komunës së Vushtrrisë. Duhet të ceki investimet që jemi ka i bëjmë në bujqësi, ku kemi rritur subvencionimin për qumështin për cent për litër, për bletët, delet, për ujitjen e tokave për herë të parë dhe bujqit janë shumë të kënaqur me përkrahjen që po i japim.

Pikë qendrore të programit tim e kam pasur rininë, arsimin profesional e kam realizuar 100%, i kam subvencionuar kurset për 400 të rinj e të reja në qendrën gjermane për trajnime, për IT dhe sivjet do të ketë bursa pa kufi për ata që duan ta mësojnë gjuhën gjermane, angleze etj.

Kemi ndarë 80 bursa në vlerë 600 euro për studentë. Kemi nënshkruar marrëveshje me Jork Univesity, ku kemi ndarë 5 bursa për programer dhe 5 të tjera me 50%. Jemi komuna e vetme që kemi premtuar rregullimin e përrockave dhe po e bëjmë. Kurse kemi rregulluar e po rregullojmë rrugë e kanalizime.

Po tre premtimet që synoni t’i përfundoni deri në fund të mandatit?

Idrizi: Tre projektet madhore që synoj t’i realizoj janë. Ndërtimi i sheshit të qytetit ku është shpall tenderi dhe ky projekt kap vlerën e mbi 2 milionë eurove ku parashihet edhe ndërtimi i parkingjeve.

Pastaj projekt tjetër që synoj ta realizoj është edhe ndërtimi i tregut të qytetit në vlerë mbi 1 milion euro si dhe ndërtimi i stadiumit në vlerë 4 milionë euro.

Poashtu kemi shpallë tenderin për ndërtimin e shkollës “Mustafë Venhari” në qytet në vlerë mbi 1 milion euro. Projekt tjetër i rëndësishëm që synoj ta realizoj është rruga e ‘Drenicës’ prej urës të lumit Sitnica e deri te hekurudha. Poashtu do ta përfundojmë edhe projektin e ujit të pijes.

Ju si kryetar i Vushtrrisë keni bërë kallëzim penal ndaj ish-kryetarit Xhafer Tahiri për 20 kontrata.  Çfarë është bërë me këtë rast, a mund të na jepni detaje më të hollësishme?

Idrizi: Po e kam bërë kallëzimin penal, pasi kam paraqitur fakte para organeve të drejtësisë për nënshkrim të kontratave përmes të cilave është dëmtuar buxhetit i komunës, këtë e thotë edhe raportit i Auditorit gjeneral.

Unë e kam kryer punën time, i kam paraqitur faktet tek drejtësia, por më asgjë nuk është bërë në këtë drejtim, nuk jam thirrë asnjëherë nga drejtësia për faktet që i kam paraqitur.

Tahiri ka thënë se po frikësoheni të përballeni në gjykatë dhe se po “fshiheni” pas avokatit tuaj. Cila është kundërpërgjigja juaj ndaj Tahirit?

Idrizi: Unë jam i gatshëm të përballem me të, në çdo debat kam fol me letra dhe argumente. Pse nuk më thërret prokurori, kur kam deponuar lëndën që t’i m’i kërkojë dokumentet, faktet që i kam paraqitur.

Është fakt që gjatë fushatës zgjedhore janë punësuar 154 punëtorë në kundërshtim me ligjin dhe është dëmtuar buxheti i komunës në vlerë 200 mijë euro.

Ky i fundit u zgjodh sërish në krye të LDK-së në Vushtrri, ju a keni synime të kandidoni për një mandat tjetër për kryetar të Vushtrrisë nga PDK dhe të përballeni me Tahirin?

Idrizi: Ai [Xhafer Tahiri] e ka vendin që të përballet me drejtësinë e jo të kandidoj. Kurse sa i përket zgjedhjes së tij sërish në krye të Degës në partinë e tij në Vushtrri është çështje partiake e tyre.

Unë jam i orientuar që t’i realizoj projektet që i kam paraqitur para qytetarëve të Vushtrrisë dhe nëse ka disponim të qytetarëve të Vushtrrisë unë mendohem ta ndaj apo jo mendjen edhe një mandat për kryetar, por thënë të drejtën mendjen e kam aktualisht që të punoj për të mirën e qytetarëve dhe t’i kryejë me përgjegjësi punët e premtimet e dhëna.

Për fund, sa keni mbështetje nga Qeveria Kurti si komunë që drejtoheni nga PDK?

Idrizi: Kemi një bashkëpunim të mirë, si shembull me Ministrinë e Bujqësisë, të Infrastrukturës, Zhvillimit Rajonal, pra kemi raporte të shkëlqyeshme dhe korrekte, dhe e vlerësoj si bashkëpunim.

I kam bërë ftesë para rreth dy muaj kryeministrit Albin Kurti që ta vizitojë komunën e qytetin e Vushtrrisë, ende nuk kam marrë përgjigje, pasi ka edhe obligime, por besoj se do të vij të na vizitojë. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!