×
Intervista / Pesëshja diplomatike

Paralajmërimi i Ambasadorit Hovenier: Një vizitë shumë e rëndësishme do të bëhet

Autor:Leart Hoxha
18 Tetor 2023 | 21:35
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Intervista e plotë e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dhënë për emisionin “Context”, në ATV

ATV: Patët diskutim të mirë me studentët, rreth një orë, dhe përçuat shumë mesazhe interesante, ashtu siç pritej. Patët gjithashtu sesion pyetje – përgjigje. Cilat ishin temat kryesore që u diskutuan dhe mesazhet që ju vendosët se janë të rëndësishme, për rininë dhe studentët tanë?

Hovenier: Ishte mundësi për mua që të dëgjoj drejtpërdrejt nga të rinjtë e Kosovës. Më duket se e kam thënë disa herë se rinia e Kosovës është aseti më i madh i këtij shteti. Të rinjtë janë kaq të pasionuar, të aftë dhe të angazhuar, për një të ardhme të paqes dhe prosperitetit. Kjo më dha mundësinë të flas për prioritetet kryesore të Shteteve të Bashkuara këtu, e ato janë që Kosova ta ketë vendin e vet në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, që të ketë një ekonomi që sjell prosperitet për qytetarët e saj dhe që të ketë qeverisje të mirë dhe sistem efikas të sundimit të ligjit, andaj folëm për këto gjëra. Ata bënë shumë pyetje, lidhur me atë se si mund të ndikojnë në mënyra pozitive, unë gjithmonë inspirohem kur dëgjoj këtë. Ishte bisedë e mrekullueshme.

ATV: A do të thoshit se studentët janë të ngarkuar me politikë, njësoj si ne, le të themi në bisedat dhe takimet e tjera, dhe le të themi, a vazhdojnë ta shohin Serbinë apo politikën dhe çështjet tjera si përcaktuese për të ardhmen e Kosovës?

Hovenier: Le të flasin studentët vetë për veten e tyre, por mendoj se ata duan ta shohin një të ardhme të mirë për ta. Ata duan të jetojnë në një vend me kushte të sigurisë, duan të kenë mundësi ekonomike, të kenë puna dhe të jetojnë jetët e tyre në paqe dhe siguri. Mendoj ashtu siç duam të gjithë ne. Ata tani janë të shqetësuar për disa zhvillime të caktuara…

ATV: A duhet të jenë?

Hovenier: Mendoj se të gjithë jemi të shqetësuar për zhvillimet tani. Por mendoj se ata mund të kenë besim, ashtu si ne, se komuniteti ndërkombëtar është shumë i fokusuar që të ndihmojë të avancojë këtu dhe në rajon, stabilitet më të madh, prosperitet më të madh, siguri më të madhe. Ky vazhdon të jetë synimi ynë. Kjo kërkon vullnet politik, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia, që të punohet drejt zbatimit të plotë të marrëveshjes bazë që u arrit në shkurt dhe të aneksit të implementimit, që u arrit në mars. Por kemi një rrugë para e cila funksionon. Vetëm duhet të ndodhë.

ATV: Dhe kur thoni se siguria vazhdon të jetë objektivi juaj, a duhet të ndryshoni mënyrat për ta arritur këtë? Unë dëgjova diskutimet me studentët dhe ishte e pashmangshme që të flitej për zhvillimet në veri dhe në Kosovë në përgjithësi.

Hovenier: Nuk e di nëse duhet të ndryshojmë mënyrat, por do të donim të shihnim rezultate më të mira nga mënyra e angazhimit tonë. Bashkimi Evropian dhe ndërmjetësuesit e BE-së po punojnë shumë dhe kanë mbështetjen amerikane. Mendoj se kjo është gjëja e duhur, dhe angazhimi i SHBA-së për Kosovën është i padiskutueshëm dhe i qartë, por gjithashtu pritjet tona për këtë qeveri dhe të gjitha qeveritë kosovare për të themeluar një shoqëri multietnike demokratike në të cilën jetojnë të gjithë qytetarët, jetët e tyre dhe kushtet për dinjitet dhe siguri vazhdojnë. Ne kemi gjithashtu pritje nga Serbia, të cilat janë që Serbia të mos ndërmarrë veprime të cilat kërcënojnë fqinjët e saj, përfshirë Kosovën, që të mos ndërmarrë veprime që destabilizojnë rajonin dhe kjo gjithashtu ishte pjesë e bisedës tonë.

ATV: Dhe a ka ndonjë gjë, pas 24 shtatorit apo zhvillimeve të fundit, që do të ketë ndikim në ritmin në të cilën po lëviznin proceset politike?

Hovenier: Unë mendoj se 24 shtatori nënvizoi dhe e bëri shumë të qartë se sa urgjente është që të lëvizet para me këtë punë të rëndësishme që të arrihet implementimi i plotë nga të dyja palët, për të gjitha zotimet në marrëveshjen bazë dhe aneksin e implementimit. Ka shumë angazhime të mira në këtë marrëveshje themelore. Ato përfshijnë gjëra si shmangja e përdorimit të forcës, zgjidhja e probleme përmes mënyra paqësore, respekt për kufijtë e njëri-tjetrit. Ka zotime edhe në anën e Kosovës, lidhur me shtyrjen përpara të asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një mjet për të adresuar shqetësimet e komunitetit etnik serb këtu. Ne po ashtu mendojmë se kjo është shumë e rëndësishme dhe urgjente.

ATV: Dy gjëra të tjera. Fillimisht, kishte shumë pyetje dhe interesim lidhur me gjendjen ekonomike dhe këmbimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, me Kosovën që aktualisht është nën sanksione apo masa të vendosura nga BE-ja. A mendoni se kjo mund të ndryshojë apo të ketë ndikim në marrëdhëniet, apo të themi në shqetësimet që u adresuan nga studentët.

Hovenier: Ne po flisnim për marrëdhënien me SHBA-në, andaj SHBA-ja nuk ka vendosur masa që do të ndikonin në marrëdhëniet tregtare të Kosovës apo në cilësinë e marrëdhënies tonë ekonomike, dhe kjo është e gjitha që unë mund të them për këtë.

ATV: Dhe, pyetja e fundit, me ritmin aktual të zhvillimeve në rajon, a duhet të presim ndonjë ndryshim në, le të themi, ditët apo javët në vazhdim?

Hovenier: Një vizitë shumë e rëndësishme do të bëhet, ashtu siç kemi diskutuar, dhe mendoj se është reflektim i seriozitetit me të cilin Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë evropianë në BE e shohin situatën aktuale. Ne duam të shohim progres të vërtetë. Jo në negocimin e zotimeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por të shohim që marrëveshja e arritur në shkurt dhe implementimi i aneksit në mars, të zbatohen plotësisht nga të dyja palët. Mendoj se kjo vizitë e radhës do të jetë manifestim i rëndësisë që kjo të realizohet.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!