×
Intervista / Intervistë

Rexhaj: Vuçiqi këmbëngul në marrëveshjet Thaçi-Daçiq dhe Mustafa-Vuçiq

Autor:Fortuna Shkodra Haliti
17 Janar 2024 | 20:30
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, në një intervistë për gazetën online Reporteri.net ka folur lidhur me mundësinë e shkuarjes në zgjedhje, për liberalizimin e vizave, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkesën e fundit që ka bërë Kosova ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për blerjen e raketave kundërtanke “Javelin”.

Rexhaj u është përgjigjur kërkesave të vazhdueshme të opozitës për zgjedhje të parakohshme, derisa ka thënë se “ato nuk i përcaktojnë ata”.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës ka komentuar edhe draft-statutin për Asociacionin dhe komentet se ai “ka krijuar autonomi”.

Po të ishte siç thotë opozita Serbia që moti do të nënshkruante marrëveshjen me Kryeministrin Kurti, por ju e keni parë se si me zë e me figurë Vuçiq këmbëngul në marrëveshjen 2013 dhe 2015, praktikisht atë Thaçi-Daçiq dhe Mustafa-Vuçiq”, u shpreh Rexhaj.

Rexhaj në këtë intervistë shtoi se Kosova që prej shkurtit të vitit të kaluar ka insistuar në Bruksel nënshkrimin e marrëveshjes, pastaj në Ohër e më pas edhe në Bruksel.

“Sërish, Serbia është ajo që vazhdimisht ikën nga marrëveshja sepse nuk është e interesuar për një gjë të tillë. Madje siç e dini javë më parë ajo edhe formalisht përmes letrës zyrtare që i ka dërguar BE-së ka njoftuar praktikisht largimin nga marrëveshja. Ajo nuk është e interesuar as për dialog as për asociacion. Ajo është e interesuar vetëm që Kosovën ta defunksionalizojë e ta sulmojë siç bëri përmes aktit të 24 shtatorit ku pati qëllim aneksimin e veriut. Pra, nuk mund të thuash se po dialogoj dhe ta sulmosh shtetin me të cilin dialogon. Ky është minimumi jetik i të bërit dialog”, tha tutje Rexhaj.

Më poshtë, gjeni të plotë intervistën me shkrim me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj:

Reporteri.net: Së fundmi, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se SHBA-ja miratoi kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave kundërtanke “Javelin”. A mund të na jepni më shumë detaje? A përçon ndonjë mesazh për sigurinë në vend?

Rexhaj: Lajmi që morëm për miratimin e kërkesës së Republikës së Kosovës nga ana e ShBA-së për blerjen e kundërtankëve ‘Javelin’ sigurisht se na ka gëzuar të gjithëve. Këto blerje janë në kuadër edhe të blerjeve të shumta që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes me qëllim furninizimin dhe bërjen e FSK-së tamam ushtri moderne dhe në përputhje me nevojat e sigurisë për vendin tonë. Duhet theksuar që sivjet buxheti për Ushtrinë ka kaluar 200 milionë euro çka përbën kapërcim të jashtëzakonshëm me atë se si është trajtuar ky dikaster tejet i rëndësishëm i sigurisë në qeverisjet e kaluara.

Nuk jemi të interesuar të përçojmë mesazhe, por jemi të interesuar dhe përkushtuar që vendi ynë në raste nevojë te ketë përgatitjet e nevojshme në drejtim të ruajtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit.

Reporteri.net: Viti 2024 nisi me, mund të themi, lajme të mira për qytetarët e vendit. Kemi liberalizimin e vizave, po ashtu Spanja dhe Emiratet e Bashkuara Arabe njohën pasaportat e Kosovës. Nga takimet tuaja të brendshme, a ka pritje për ndonjë njohje të re të shtetit të Kosovës nga vendet mosnjohëse këtë vit?

Rexhaj: Fillimviti 2024 ishte i jashtëzakonshëm me lajmet e vendimet të cilat i theksuat edhe ju në pyetje. Si Republikë e Kosovës jemi të interesuar që të thellojmë sa më shumë marrëdhëniet bilaterale me vendet me të cilat kemi miqësi e bashkëpunim. Ju e pat për shembull vizitën e fundit të sekretarit të jashtëm britanik Cameron, përkushtimi i tij, i shtetit britanik deklaratat e tij të fuqishme mbështetëse janë tejet me rëndësi për vendin tonë. Dhe kemi shumë nevojë për mbështetje të tilla. Në anën tjetër pothuajse është në misionin permanent të Ministrisë së Punëve të Jashtme që të angazhohet për njohje dhe sa i përket Kosovës puna nuk mjafton mirëpo siç e dini vendimet i përkasin shteteve ku lobohet e punohet dhe për këtë nuk mund të flasim në emër të tyre. E jona është ta bëjmë punën dhe pastaj presim rezultatet, njëjtë siç erdhen këto rezultate të mira të fillim janarit.

Reporteri.net: A pritet ikje e të rinjve apo shkelje e rregullave të regjimit?

Rexhaj: Lëvizje ka pasur edhe para vizave dhe do të ketë gjithnjë. Dhe duhet ta themi që ky nuk është trend që ka prekur vetëm Kosovën, por edhe Ballkanin në tërësi madje ka edhe vende të BE-së që janë të prekura nga lëvizjet e fuqisë punëtore. Besoj që në afatmesëm liberalizimi i vizave do ta stabilizojë çështjen e lëvizjes dhe asesi ta përkeqësojë.

Reporteri.net: Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është prioritet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë megjithëse pret vazhdim të dialogut. Sa janë reale gjasat për vazhdim të dialogut dhe arritje të një marrëveshjeje?

Rexhaj: Kosova që prej shkurtit të vitit të kaluar ka insistuar në Bruksel nënshkrimin e marrëveshjes, pastaj në Ohër e më pas edhe në Bruksel sërish, Serbia është ajo që vazhdimisht ikën nga marrëveshja sepse nuk është e interesuar për një gjë të tillë. Madje siç e dini javë më parë ajo edhe formalisht përmes letrës zyrtare që i ka dërguar BE-së ka njoftuar praktikisht largimin nga marrëveshja. Ajo nuk është e interesuar as për dialog as për asociacion. Ajo është e interesuar vetëm që Kosovën ta defunksionalizojë e ta sulmojë siç bëri përmes aktit të 24 shtatorit ku pati qëllim aneksimin e veriut. Pra, nuk mund të thuash se po dialogoj dhe ta sulmosh shtetin me të cilin dialogon. Ky është minimumi jetik i të bërit dialog.

“E vetmja pikë e dobët e Kosovës në dialog është trashëgimia e saj”

Reporteri.net: Opozita ka kritikuar pushtetin se po krijon autonomi me pranimin e draft-statutit të Asociacionit dhe se prek karakterin unitar të shtetit. Si e komentoni?

Rexhaj: Po të ishte siç thotë opozita Serbia që moti do të nënshkruante marrëveshjen me Kryeministrin Kurti, por ju e keni parë se si me zë e me figurë Vuçiq këmbngul në marrëveshjen 2013 dhe 2015, praktikisht atë Thaçi-Daçiq dhe Mustafa-Vuçiq. Në anën tjetër, siç kemi deklaruar e vetmja pikë e dobët e Kosovës në dialog është trashëgimia e saj, pra ajo çfarë kemi gjetur si trashëgimi që na e ka lënë mu kjo opozitë që tash na del e shqetësuar me autonomi.

Reporteri.net: Flasim pak për punën në Kuvend. Krijimi i Fondit Sovran ka qenë premtim elektoral i Lëvizjes Vetëvendosje, por është kontestuar nga partitë opozitare. Çfarë pritet tutje? Nëse krijohet ky fond, si do të ndikojë në ekonominë e vendit?

Rexhaj: Partitë opozitare janë munduar secilën reformë ta ndalojnë duke e dërguar kështu në Gjykatën Kushtetuese. Qëllimi i tyre është i qartë ata duan të ndalojnë qeverisjen e mirë dhe nuk duan që në Kosovë të krijohet bindja se këtu mundesh me qenë në Qeveri, pa korrupsion, pa hajni, me zhvillim ekonomik dhe me drejtësi të pavarur. Këta pak a shumë duan të dëshmojnë përmes përpjekjeve të tilla të thonë se të gjithë jemi njësoj. Por, jo, nuk jemi.

Ndërmarrjet tona publike, do bëhen pjesë integrale e Fondit, në qëllim të mundësisë për rritje të investimeve të nevojshme për zhvillim ekonomik. Si mjeti institucional i investimeve që do veprojë në tregje ndërkombëtare financiare, të zotëruar, menaxhuar e kontrolluar nga një qeveri e përgjegjshme e nga një fond sovran i përgatitur e i gatshëm për ndryshimet pozitive që e presin Republikën tonë.

Reporteri.net: Si e vlerësoni punën e partive opozitare?

Rexhaj: Po e gjithë përpjekja e partive opozitare që kanë qeverisur deri më tani me vendin ka qenë ndalimi dhe pengimi i reformimit të thellë shtetor, ekonomik dhe social. Dhe kjo është për të ardhë keq.

Reporteri.net: Po Lëvizja Vetëvendosje, si i ka punët?

Rexhaj: Lëvizja VETËVENDOSJE! është duke punuar pa ndalim në të trija nivelet, në qeverisjen qendrore, në Kuvend si dhe në organizatë me qendrat e saj nëpër Kosovë. Si subjekt politik nuk shquhemi për vetkënaqësi kështuqë gjithnjë jemi në përpjekje e angazhim për më shumë. Me qeverisjen tonë po dëshmojmë atë që e kemi thënë që në zgjedhjet e vitit 2010 se kur jemi bashkë, pra bashkë me qytetarët gjithçka bëhet e mundshme. Bashkë është e mundshme. Dhe kjo po dëshmohet në këto vite qeverisje.

Reporteri.net: Gjykata Kushtetuese së fundmi ka shpallur të pavlefshme disa nene të Ligjit për pagat. Disa herë, nga Lëvizja Vetëvendosje, madje edhe ministra, kanë akuzuar Kushtetuesen se po punon në favor të opozitës. Si e komentoni këtë?

Rexhaj: Nuk kam çka i shtoj më shumë atyre deklarimeve.

Reporteri.net: U mbajt një sondazh në fund të dhjetorit të vitit 2023. Vetëvendosje ka kryesuar ndërsa partitë opozitare e quajtën “manipulim” derisa i kërkuan kryeministrit Kurti ‘ballafaqim në zgjedhje’. A jeni të gatshëm për zgjedhje dhe çfarë rezultatet do të prisnit realisht?

Rexhaj: Jo vetëm në këtë sondazh por në vazhdimësi Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shënuar rritje dhe mos të harrojmë aty nuk është e përfshirë mërgata. Po e përsëris, si subjekt politik nuk shquhemi për vetkënaqësi, por jemi gjithnjë në sfidat tona të reja për arritje më të mëdha. Zgjedhje do të ketë, por ato nuk i përcakton opozita, ndërkohë që ne jemi të fokusuar te punët që kemi përpara dhe së bashku me to edhe rezultatet./Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!