×
Intervista / Deputetja e VV'së

Ujkani: S’mund të flitet për Asociacionin pa pasur marrëveshje të plotë, ajo duhet të zbatohet në tërësinë e saj

Reporteri
27 Nëntor 2023 | 13:23

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net ka folur për situatën aktuale politike në vend, derisa ka komentuar proceset kryesore, sipas saj, që janë arritur përgjatë qeverisjes Kurti.

Ujkani, në këtë intervistë, i ka komentuar edhe masat e vëna nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, të cilat thotë se janë të padrejta derisa ka thënë se pret që ato të hiqen sa më parë.

Deputetja nga partia në pushtet, ka folur edhe për draft-statutin për Asociacionin, i cili zyrtarisht nuk është bërë ende publik, ndonëse, ka rrjedhur një verzion për të cilin opozita ka paraqitur kritikat e veta.

Reporteri.net: Zonja Ujkani, pse mendoni se nuk po largohen masat e vëna nga Bashkimi Evropian, çfarë duhet të bëhet?

Ujkani: Fillimisht më lejoni të them që këto masa që BE i ka vendosur ndaj Kosovës janë edhe të padrejta, edhe të pakuptimta. Këto masa që i janë vënë Kosovës, ndonëse janë masa të përkohshme, kanë ardh pas tensioneve që i krijuan grupet kriminale dhe strukturat paralele në veriun e Kosovës, për pengimin dhe moslejimin e kryetarëve të komunave veriore të fillonin punën zyrtare në objektet e tyre komunale. Mos harroni që strukturat kriminale atje, të udhëhequra nga Radoiçiq si nënkryetar asokohe i Listës Serbe, e figura të tjera të errëta të krimit të organizuar, filluan me bllokimin e rrugëve, dhunën ndaj policisë së Kosovës, dhunën ndaj trupave të NATO-s dhe dhunën ndaj gazetarëve. Pra, në vend se të kishte masa për organizatorët e protestave të dhunshme atje, masat ju vendosën padrejtësisht Kosovës. Kosova është në të drejtën e saj për zbatueshmëri të ligjit në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe pjesën veriore, për të mbrojtur rendin dhe ligjin, integritetin e sovranitetin territorial të saj.

Mos të harrojmë që në Rezolutën e para një muaji Parlamenti Evropian, i kërkoi Komisionit dhe Këshillit Evropian që masat e vendosura ndaj Kosovës të hiqen sa më shpejtë, e gjithashtu në Rezolutë kërkohet të vendosen masa ndaj Serbisë, sidomos pas sulmit terrorist në Banjskë. Prandaj, ndonëse të padrejta, po presim që këto masa t’i hiqen Kosovës në një të ardhme të afërt.

Reporteri.net: Kur flasim për aspektin diplomatik, a mendoni që ka stagnim sa i përket fushatës për lobim ndaj Kosovës?

Ujkani: Fushata e lobimit nuk ka stagnuar asnjëherë, mirëpo problem natyrisht që po përbën pesëshja e shteteve evropiane që edhe më tutje nuk po e njohin pavarësinë e Kosovës. Të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë ministren e Ministrisë së Punëve të Jashtme, po punojnë dhe po angazhohen shumë në këtë drejtim.

Reporteri.net: Janë bërë 32 muaj qeverisje në krye me kryeministrin Albin Kurti. Cilat procese do t’i veçoje se janë kryer?

Ujkani: Si procese më të rëndësishme që mund t’i numërojmë gjatë qeverisjes së drejtuar nga kryeministri Kurti kemi arritur që të kemi:

Liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, e cila hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm,

Antarësimin në Open Government Partnership (Partneriti për Qeverisje të Hapur) e cila promovon qeverisjen e mirë, fuqizimin e qytetarisë aktive, luftimin e korrupsionit dhe përdorimin e teknologjive digjitale për qeverisje.

Aplikimin e Kosovës për antarësim në Bashkimin Evropian,

Jemi pjesë e Programit të BE-së “Tregu i Përbashkët” në vlerë prej 4.2 miliardë EURO për mbështetje të bizneseve dhe organizatave 2021/2027

Kemi mbi 700 milion euro investime të siguruara për energji

Kemi projektin mbi 80 milionë euro për ngrohje qendrore me panele solare dhe projekte të tjera të natyrave të ndryshme, dhe duhet ta përmend këtu që për herë të parë në Kosovë nuk janë mbajtur zgjedhjet e Serbisë në teritorin e Kosovës.

Reporteri.net: Flasim pak për aspektin e sigurisë. I keni dhënë 5 mijë euro për Ushtrinë në kuadër të fondit, a është FSK duke u rritur?

Ujkani: Nuk është diçka e pazakontë për neve si familje dhënia e donacioneve që janë në shërbim të sigurisë sonë. Si familje thirrjes për kontribut ju kemi përgjigjur edhe në të kaluarën, pra në vitet 98/99, dhe do ti përgjigjemi sa herë që ka nevojë. Është e vërtetë që në Fondin e Sigurisë për FSK kemi kontribuar edhe ne me 5000€, sikurse kanë bërë edhe shumë qytetarë e familje të tjera.

E rëndësishme është që Ushtria e Kosovës për çdo ditë po fuqizohet, reformohet e modernizohet, prandaj edhe si Qeveri e Kosovës kemi shtuar buxhetin për FSK, ndër vite, dhe këtu duhet të theksoj që:

Për herë të parë kemi dyfishim të buxhetit për ushtrinë e cila për vitin 2024 do të jetë mbi 153 milionë euro

Mbi 190% është shtuar buxheti për armatim të ri

Kemi mbi 1800 ushtar të rinj, e që FSK vitin tjetër do ti shtohen edhe 600 ushtarë të tjerë

FSK ka blerë disa dronë Bayraktar

FSK merr pjesë në misione të ndryshme bashkë me ushtritë amerikane e britanike

Kemi mbi 3000 ushtarë të trajnuar jashtë vendit

Me një fjalë Ushtria e Kosovës është në rrugë e duhur për tu bërë një ushtri moderne dhe profesionale.

Reporteri.net: Janë shtuar zërat për zgjedhje të reja. Lidhja Demokratike së fundi shprehi gatishmëri në rast se ato do të mbaheshin. A jeni të gatshëm ju për zgjedhje?

Ujkani: Nuk e di çfarë kanë thënë nga LDK apo nga partitë tjera, por ajo që e di është që Kosova nuk ka asnjë arsye të vetme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Përderisa kemi rritje të buxhetit, rritje ekonomike, dyfishim të eksportit, dyfishim të investimeve të huaja direkte, deficitin më të ultë buxhetor krahasuar me buxhetet paraprake, dhe përderisa të gjitha raportet ndërkombëtare tregojnë për stabilitet qeverisës, për progres në sundimin e ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit, për progres në shumë fusha të rëndësishme, nuk besoj që kemi nevojë për zgjedhje të reja.

Zgjedhjet do të mbahen në afatin e rregullt të tyre që do të jenë në vitin 2025, dhe atëherë të gjitha partitë politike, edhe ato opozitare, edhe ne si parti qeverisëse aktuale do të rikthehemi tek sovrani, për vlerësim e rivlerësim.

Reporteri.net: Flasim pak edhe për draft-statutin për Asociacionin. Zyrtarisht ende nuk është bërë publik ai, por si i komentoni kritikat e opozitës?

Ujkani: Nuk mund të flitet për asociacionin pa pasur marrëveshje të plotë. Pra nuk mund të ketë marrëveshje parciale, ku diçka zbatohet e diçka jo. Kosova ka pranuar që marrëveshja duhet të zbatohet në tërësinë e saj, por kurrsesi ndaras nga njëra – tjetra. Meqenëse Serbia ka refuzuar të nënshkruajë për të 3tën herë, është gabim që të flasim ne këtu për detaje të draft-statutit. Pra, duhet të flasim në kontekst të tërësisë së marrëveshjes./Reporteri.net

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!