×
Art/Kulturë

89 vjetori i vdekjes së Marigonës që qëndisi flamurin kombëtar shqiptar

Reporteri
23 Gusht 2021 | 14:45

Autor: Linda Krasniqi 


Marigo Pozio lindi në Hoqisht të Korçës në vitin 1882, dhe vdiq më 1932. Ishte një nga gratë më të shquara shqiptare.


Të gjithë e mbajmë mend kryesisht për qepjen e flamurit kombëtar shqiptar. Për shumë vjet në historiografinë shqiptare ka dominuar version zyrtar se flamuri që Ismail Qemali ngriti më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, u qëndis nga Marigo Pozio, apo për ne siç njihet Marigona.

Dhe është thënë se ajo e qëndisi flamurin brenda natës, ndihmuar nga dy vajzat e saj. Modelin e shqiponjës dykrenare e dha Luigj Gurakuqi, në vigjilje të festës, e cila është simbol i vjetër i përdorur që nga lashtësia në Perandorinë Bizantine, e më pas u bë simbol i fisnikëve shqiptarë gjatë në mesjetë.

Fusha e kuqe ka domethënien e gjakut që kanë derdhur paraardhësit tanë, ndryshe lidhet edhe me trimërinë dhe fuqinë. Shqiponja me dy krerë përfaqëson shtetin sovran të Shqipërisë, shkruan Reporteri.net.

Marigo punoi për zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare dhe mbështeti shkollat shqipe të kohës. Ishte anëtare e klubit “Labëria” dhe aktiviste e gjallë, duke kontribuar edhe në organizimin e orkestrës së klubit. Pavarësisht burimeve të ndryshme lidhur me rolin e Marigo Pozios në përgatitjen e flamurit që u ngrit më 28 nëntor 1912 në Vlorë, asaj i atribuohet merita e qëndisjes së atij flamuri të parë.

Qëndisjen e flamujve me shkabën dykrenare e vijoi edhe më pas, duke marrë dhe emrin “Zonja e flamurëve”.

Fati i saj i trishtë në vitet e fundit të jetës lidhet me tuberkulozin, sëmundjen që i mori familjen e më pas jetën. Më 23 gusht të vitit 1932 u shua ajo që ndër vite kujtohet si “Marigoja e flamurit”. Ajo prehet në varrezën e Manastirit të Zvërnecit, ndërkohë që shtëpia e saj në lagjen “Muradie” në Vlorë u kthye në muze në 100-vjetorin e Pavarësisë, për të mirëpritur vizitorët shqiptarë dhe jo vetëm. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!