×
Art/Kulturë

ESMA, Akademia Muzikore në Mitrovicë me kitaristë edhe nga bota

Reporteri
23 Shtator 2021 | 13:02

Autor: Linda Krasniqi


Mitrovica do të jetë qendra ku do të mblidhen muzikantë me namë botërorë dhe artistë të rinj të muzikës klasike.


ESMA apo European Summer Music Academy është një organizim i madh i cili ndodhë në Kosovë, tash edhe 10 vite. Në vitin 2018, në bashkëpunim të ngushtë me drejtorin artistik dhe me organizatën e tyre, kanë arritur që degën e kitarës ta sjellin në Mitrovicë.

Erhan Mujka, organizatori i kësaj akademia thotë se një organizim i tillë ka qenë më se i nevojshëm për qytetin e tyre, pasi që dihet që Mitrovica ka qenë vatër e kulturës, e këta po mundohen me çdo kusht që këtë traditë mos ta humbin asnjëherë.

Ky festival nuk ka çmime apo juri, sepse ESMA nuk është një festival me frymë garuese. Në ESMA ideja kryesore është bashkëpunimi në mes të muzikantëve nga vende të ndryshme të botës, mbajtja e masterklaseve dhe workshopeve, si dhe koncertet dhe paraqitjet e tjera të natyrës artistike.

Këtë vit, në ESMA do t’i kemi dy profesorë të huaj të gitares, Z. Sanel Redzic që vjen nga Bosnia e Hercegovina, por që jeton dhe vepron në Gjermani, kurse Danijel Cerovic që vjen nga Mali i Zi e që është kitarist i njohur ndërkombëtarisht”, tha organizatori Erhan Mujka për Gazetën Online Reporteri.net, i cili do të marrë pjesë edhe vetë si kitarist i cili jeton dhe vepron në Kosovë.

ESMA ka shtrirje të gjerë në Kosovë. Tani për tani, në Mitrovicë mbahet vetëm dega e gitares, por për instrumentet tjera ESMA mbahet edhe në Pejë, Prishtinë dhe Gjakovë. Por për shkaqe pandemie, këtë vit puna me instrumentet tjera do të jetë e vendosur vetëm në Prishtinë.

Poashtu ai tregon edhe për bashkëpunimet të cilat gjithmonë kanë qenë në bashkëpunim të ngushtë me Artium Eudora, KosovaArs,dhe gjithashtu ka mbështetje nga Ministria për Kulturë Rini dhe Sport, Drejtoria për kulturë në Mitrovicë, CBM (Community Building Mitrovica) si dhe Taxi Speed.

Sa i përket organizimit Erhani thotë për Reporteri.net se “mund të themi se kjo kohë e pandemisë ka shkaktuar vështirësi nga më të ndryshmet. Këtë vit, gjithmonë duke qenë në përpikmëri me zbatimin e rekomandimeve të ministrisë, do të mbahen masterklaset me profesorët, e nëse pas datës 26, që siç edhe po flitet lirohen masat, atëherë do të jemi në gjendje të mbajmë edhe koncertet. Lutemi që kjo të ndodhë”.

Kurse për fund ai thotë se për të qenë muzikant i mirëfilltë, njeriu duhet të jetë në kontakt dhe në bashkëpunim me muzikantë të tjerë nga e gjithë bota.

Kjo na bënë të jemi me mendjehapur dhe më kreativ. ESMA është vendi ideal për këtë dukuri. Ne jemi të hapur për të gjithë ata artistë që kanë dëshirë bashkëpunimi”.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!