Në jetën e natës në kryeqytet ku programet muzikore shpesh përsëriten, Kultura House ka krijuar identitetin e vet duke i kushtuar rëndësi të veçantë muzikës që prezanton, DJ-ve që fton dhe hapësirave ku i realizon eventet.
Që nga fillimet e saj në vitin 2022, nga organizimet në shtëpi deri tek eventet në hapësira të pazakonta të Prishtinës, Kultura House ka sjellë në Kosovë zhanre të muzikës si Afrobeat, Baile Funk, Amapiano dhe Global Sounds, kryesisht përmes DJ-ve ndërkombëtarë, krahas artistëve vendorë.
Përmes muzikës dhe pjesëmarrjes së njerëzve, hapësirat e vjetra të qytetit marrin përkohësisht një funksion të ri kulturor. Kjo qasje, e mbështetur edhe nga bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës, synon rivitalizimin e vendeve që shpesh mbeten jashtë jetës kulturore.
Kultura House e lidh veprimtarinë e saj edhe me përgjegjësinë sociale. Në edicionet e mëparshme ka mbështetur organizatat si Linja e Jetës dhe Cicat, ndërsa këtë herë 10 për qind e të hyrave nga shitja e biletave do t’i dhurohen OFAP-it, Organizatës për Fëmijët pa Përkujdesje Prindërore.
Këtë të diel, më 26 korrik, nga ora 18:00 deri në orën 02:00, Kultura House rikthehet në fabrikën e Tulltores në qendër të Prishtinës me një festival një-ditor i cili, përveç programit muzikor, do të përfshijë edhe një hapësirë të ushqimit, po ashtu edhe një garë për veshjet më të mira dhe aktivitete të tjera për pjesëmarrësit.
Në këtë edicion do të përformojnë 4 DJ ndërkombëtarë: FS Green nga Amsterdami, Changing Currents nga Londra, Sgamo nga Milano, Ekany nga Brukseli dhe Arti nga Prishtina.
Biletat për eventin mund të sigurohen përmes platformës Kick-Tick.
ReklamëView this post on Instagram