Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ndër të tjera janë ndarë mjetet financiare për mbështetjen e kampanjës së filmit “Zgjoi”.
Me këtë rast, Qeveria ka ndarë shumën prej 95,725 eurove të cilat do të përdoren për mbështetjen e pjesës së dytë të kampanjës së filmit që është në garë për t’u nominuar në edicionit të 94-të të Çmimeve të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të filmit, “Oscars”.
“Aprovimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe kërkesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për mbështetje financiare për zbatimin e Masës 4.3 – Mbështetja e Kulturës dhe Sportit. Me vendimin e aprovuar sot janë ndarë mjete financiare në shumën prej 95,725 eurove të cilat do të përdoren për mbështetjen e pjesës së dytë të kampanjës së filmit “Zgjoi”, i nominuar nga Republika e Kosovës për të garuar në kuadër të edicionit të 94-të të Çmimeve të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të filmit, “Oscars”, thuhet në vendimet e Qeverisë.
Kujtojmë që “Zgjoi”, i regjisores Blerta Basholli është futur në listën e ngushtë në kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”. Lista finale e nominimeve të filmave për pretendent të çmimit “Oscar” do të shpallet më 8 shkurt.
“Zgjoi”, me protagoniste kryesore aktoren Yllka Gashi, është i frymëzuar nga jeta dhe historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila humbi burrin gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes.