Zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës kanë realizuar 71 urdhëresa të gjykatës gjatë javës së kaluar, në lokacione të ndryshme dhe në aksione të ndara.

Sipas Policisë, nga 71 urdhëresat e realizuara, 39 kanë qenë për vepra penale, ndërsa të tjerat kanë të bëjnë me kundërvajtje, seanca, verifikime dhe çështje të tjera.

Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtjen e dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresat përkatëse.

Reklamë

Në kuadër të aktiviteteve të tjera të sigurisë, Policia ka bërë të ditur se gjatë së njëjtës periudhë në Rajonin e Prishtinës janë sekuestruar 16 armë zjarri.

Ndërkaq, për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut, gjatë javës së kaluar janë shqiptuar gjithsej 4 mijë e 406 masa administrative me gjobë.

Nga këto, 604 gjoba janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe veturave me radar mobil.

Policia ka njoftuar se aktivitetet e zyrtarëve policorë në Rajonin e Prishtinës do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në kuadër të përmbushjes së detyrave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.