×
  • Lajme
  • Lajme

    40 zyrtarë kosovarë kanë udhëtuar në Berlin?

    Reporteri
    29 Prill 2019 | 16:22

    Në samitin e Berlinit që po mbahet sot në Gjermani, përveç kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi, po marrin pjesë edhe një numër i madh i zyrtarëve nga Qeveria e Kosovës.


    Rreth 40 zyrtarë nga Qeveria kanë udhëtuar për në Gjermani. Ndërsa, sipas zëdhënëses së Qeverisë gjashtë pjesëmarrës janë vetëm nga Zyra e Kryeministrit. Gjithashtu, pjesë e takimit është edhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli dhe këshilltari i tij, Jetlir Zymberaj.

    Po ashtu, një numër i madh i zyrtarëve që kanë udhëtuar për në Berlin janë edhe nga Zyra e Presidentit të Kosovës, ku zyrtarë për media edhe pse janë kontaktuar, nuk janë përgjigjur.

    Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi për KP, thotë nëpërmjet telefonit se për koston e shpenzimeve në Samitin e Berlinit do të bëhen publike pas kthimit të delegacionit.

    “Pesë janë prej Zyrës së kryeministrit, ku bëjnë pjesë këshilltarët dhe zyrtari i protokollit, plus edhe kryeministri. Por unë nuk e di sa është kostoja e shpenzimeve. Për kryesuesin e delegacionit dhe një pjesë të stafit përcjellës, shpenzimet janë të mbuluara nga Gjermania, ndërsa pjesa tjetër e stafit përcjellës, janë të mbuluara me shpenzimet e Zyrës së Kryeministrit”, thotë Gashi.

    Ndryshe, mbi 12.5 milionë euro të taksapaguesve kosovarë janë shpenzuar për udhëtime zyrtare jashtë vendit, nga njerëzit e pushtetit, gjatë vitit 2018.

    Krahasuar me vitin 2017, ka pasur një rritje prej 24.7 për qind të këtyre shpenzimeve, apo gati 2.5 milionë euro më shumë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!