Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, të cilët i ka cilësuar si “dy miq të çmuar të Kosovës”.

Pas takimit, Abdixhiku ka bërë të ditur se një nga çështjet e diskutuara ka qenë nevoja për rikthimin e Dialogut Strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili ishte pezulluar nga pala amerikane.

Ai ka falënderuar senatorët për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës, duke theksuar kontributin amerikan në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e vendit.

Reklamë

“I falënderova për mbështetjen e vazhdueshme dhe për kontributin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë. Në takim theksova nevojën për rikthimin në Dialogun Strategjik me SHBA-në”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se Kosova duhet të punojë për forcimin e besimit dhe bashkëpunimit me aleatin e saj më të rëndësishëm.

“ Kosovës i duhet ta forcojë besimin dhe bashkëpunimin me aleatin e saj më të rëndësishëm. Kjo kërkon përkushtim, përgjegjësi dhe veprime konkrete”, ka deklaruar kreu i LDK-së.

Abdixhiku ka ritheksuar se miqësia me Shtetet e Bashkuara përbën një nga shtyllat e identitetit politik të LDK-së.

“Ta ruajmë e ta forcojmë këtë miqësi është detyrë e përhershme”, ka përfunduar ai.

Reklamë