×
  • Lajme
  • Lajme

    Agim Bahtiri: Të gjinden dhe dënohen sa më parë sulmuesit e gazetarit Shkumbin Kajtazi

    Reporteri
    18 Tetor 2020 | 15:29

    Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka dënuar sulmin e mbrëmshëm me armë zjarri ndaj veturës së gazetarit të Gazetës Online “Reporteri.net”, Shkumbin Kajtazi.


    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bahtiri ka lutur organet e rendit që rastin ta trajtojnë me prioritet të lartë duke qenë se brenda pak muajsh është sulmi i dytë, pasi që herën e parë kanë tentuar t’ia djegin veturën.

    Bahtiri po ashtu ka thënë se ky sulm nuk është vetëm ndaj Kajtazit, por ndaj gjithë komunitetit të gazetarëve në punën e tyre.

    Mbrëmjen e së shtunës, vetura e gazetarit të Gazetës Online “Reporteri.net”, Shkumbin Kajtazi, u bë cak i një sulmi me armë zjarri.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur për Reporterin se në vendngjarje hetuesit kanë gjetur 4 predha të armës.

    Zahiti tha se prokurori ka iniciuar rastin si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe se po punohet për zbardhjen e rastit.

    “Rasti ka ndodhur mbrëmë natën. Hetuesit kanë dalë në vendngjarje dhe kanë gjetë 4 predha të armës. Fatmirësisht nuk ka të lënduar. Prokurori e ka iniciu rastin si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe hetuesit po punojnë për ta zbardhur rastin. Deri tash nuk ka të dyshuar.”, ka thënë Zahiti.

    Gazetari Kajtazi ka thënë se në momentin kur ndodhi ky sulm, ndodhej në një kafene të Mitrovicës.

    Kajtazi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se zbardhja e rastit duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi.

    “Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij.”, ka shkruar ai në Facebook.

    Ky është sulmi i dytë ndaj tij, pasi që muaj më parë dikush tentoi që t’ia digjte veturën e njëjtë.

    Ky është postimi i plotë i Bahtirit: 

    Sulmi me armë zjarri ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi është i papranueshëm dhe i denueshëm. Ky është sulm ndaj fjalës së lirë dhe nuk është sulm vetëm ndaj tij, por ndaj gjithë komunitetit të gazetarëve në punën e tyre fisnike që e bëjnë.

    Si kryetar i komunës dhe si mitrovicas, e dënoj fuqishëm këtë akt të tmerrshëm. Apeloj te organet e rendit dhe të drejtësisë që këdo që e ka kryer dhe ka gisht në sulm, ta përballin me forcën e ligjit dhe t’i japin denimin e merituar.

    Duke qenë se brenda pak muajsh është sulmi i dytë, pasi që herën e parë kanë tentuar t’ia djegin veturën, i lus që rastin ta trajtojnë me prioritet të lartë.

    AB

    https://www.facebook.com/Agim.Bahtirii/posts/1341745482836627?__xts__%5B0%5D=68.ARBADlaDGlFJhx9D_mLAdBECiYltwirPERRkVXeUrtffw3dHx0CWdjZplYMXedptxlh-xJFj3RoK35iNPSmntZQX1PD-NA5VWtHWsJ98mCdi7IDSF__eQxIFeFEypW4s-99F3ZspBIte6itzxUobJ2LZzNRhtyJxxBdnPBUnHptQKI6kSe14tNfsbltL7eVgDB5QHZtwR0LrDGx9etzCwZP7UG02rp05bmApSMar5MY1ZQrYFlQrmHkJ6YTKKor29e-EM4wERiGXxp_ke53lvA2Ea5vPVFPjJG16n-zc8CY2zbIJcqbKkKEB0HbZ4rwBFTlOIc1EPg8TbQh_kP_RuA&__tn__=-R

    /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!