Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar ashpër shënjestrimin publik të disa mediave nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Në një reagim të publikuar të hënën, AGK ka thënë se gjuha e përdorur nga Rama është “e papranueshme dhe linçuese”, duke vlerësuar se ajo ka për qëllim intimidimin e mediave dhe gazetarëve në raportimin e temave me interes për publikun.
“Gjuha e përdorur është e papranueshme dhe linçuese dhe ka për synim intimidimin e mediave dhe gazetarëve për të raportuar tema në interes të publikut”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK e ka ftuar kryetarin Rama që për çështjet dhe temat e trajtuara nga mediat të përgjigjet në mënyrë transparente dhe të hapur.
“Sulme të tilla, si ky, minojnë lirinë e medias në vend dhe kanë për synim dekurajimin e punës së gazetarëve për të mbajtur përgjegjës zyrtarët në pozita të larta shtetërore”, thuhet më tej në reagim.
Sipas AGK-së, sulmet publike ndaj mediave dhe gazetarëve mund të nxisin edhe sulme të tjera online ndaj tyre.
“Ato gjithashtu u ofrojnë platformë publike qindra personave të tjerë për të sulmuar dhe denigruar online gazetarët dhe mediat, prandaj kjo formë e komunikimit duhet të ndalet”, thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.