×
  • Lajme
  • Lajme

    Aksidenti tragjik i 23 shkurtit në Zhur, familja Sopa ia shtrinë dorën e pajtimin familjes Hajredini

    Reporteri
    30 Prill 2019 | 15:58

    Një aksident tragjik kishte ndodhur më 23 shkurt në afërsi të Zhurit të Prizrenit, me ç’rast kishin humbur jetën tre persona të familjes Sopa.


    Dy muaj pas këtij aksidenti, Familja Sope nga Zhuri, sot ia ka shtrirë në konakun e saj dorën e pajtimit familjes Hajredini nga Randobrava, për aksidentin fatal.

    Një ndër personat kryesor që është angazhuar që të arrihet deri tek pajtimi i këtyre dy familjeve, ishte kryetari i Bashkësisë Lokale në Zhur, Behar Begaj.

    Ai në vendin ku kishte ndodhur aksidenti fatal, tha se akti i sotëm i familjes Sope, tregon karakterin dhe nderin e saj përkundër dhimbjes për humbjen e më të dashurve të saj.
    Një gjest i tillë na bën krenar të gjithë zhurjanëve, të cilët vijojnë të shquhen me akte të burrërisë, theksoi ai.

    Fetah Bekolli, aktivist i palodhur në pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave në mbarë vendin tonë, ishte i pranishëm në këtë ngjarje, duke dhënë dhe ai kontribut për shtrirjen e dorës së pajtimit mes këtyre dy familjeve, raporton PrizrenPress, shkruan Reporteri.net.

    Ai, aktin e familjes Sope e quajti bujar, të ndershëm dhe human, duke e mposhtur dhimbjen përkundër fatkeqësisë së madhe që e kishte pllakosur atë.

    Pjesë e angazhimeve në këtë rast ka qenë edhe njëri nga imamët e Zhurit, Afrim Memaj, i cili tha se, tragjedi të këtilla , e cila na ka prekur të gjithëve, lusim Zotin që mos të na përsëriten më.

    Ndryshe, me datën 23 Mars të këtij viti, në një aksident trafiku në rrugën Prizren- Zhur, ku ishin përfshirë një veturë dhe një kamion, kishin humbur jetën, Ramiz Sope 50 vjeç , dhe dy djemtë e tij, Behari 24 vjeç si dhe Lumbardh 22 vjeç, të cilët në momentin kritik ndodheshin në veturë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!