Pasi ia dërgoi personalisht në presidencë Raportin e Komisionit Evropian për Serbinë, shefi i Zyrës së BE-së në Beograd, Emmanuel Giofret tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, “në përgjithësi u pajtua me shumicën e raportit”, raporton gazeta online Reporteri.net.
Raporti nuk shërben për të ndëshkuar, tha ambasadori evropian, por ajo synon të tregojë nëse ose jo gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur për Serbinë.
E sa po shkojnë në rrugën e duhur, raportoi thekson rënien e dukshme prej 64% në 44% të bashkërendimit të politikave të jashtme dhe të sigurisë së Serbisë me BE-në.
Kjo u theksua më së shumti nga refuzimi i Serbisë për t’i vendosur sanksione Federatës Ruse, duke mbetur i vetmi vend në Evropë, përveç Bjellorusisë, që nuk bashkohet me botën perëndimore në sanksionimin e Rusisë.
“Është e rëndësishme që Serbia të marrë qëndrime të qarta. Ky është një pozicion përcaktues në Evropë, një thirrje zgjimi, lufta është kthyer në Evropë, ne ndjejmë pasojat në ekonomi, energji, fluksin e refugjatëve. Ne presim të gjithë partnerët të jenë bashkë dhe të bashkuar”, tha Giofret.
“Ne do të dëshironim që Serbia të ndryshojë qëndrimin e saj. Dje, Serbia iu bashkua 141 vendeve në OKB për të dënuar agresionin e Rusisë dhe aneksimin e rajonit në Ukrainë, dhe ne do të punojmë për këtë me qeverinë serbe në mënyrë që Serbia të bashkohet me ne në dënimin e Rusisë”, u shpreh ambasadori.
Ku e ka Serbia “vijën e kuqe” në (mos)vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse?
Çdo ditë që agresioni rus mbi Ukrainë vazhdon, hapësira e Serbisë për të manovruar ngushtohet, raporton gazeta online Reporteri.net.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për herë të parë, ka thënë se Serbia qëndron në mos-sanksionimin e Rusisë “derisa dëmi të jetë më i madh se përfitimi”.
“Deri kur dëmi të jetë më i madh se çdo gjë tjetër”, Vuçiç ka thënë se Serbia do të qëndrojë në pozicionin aktual të saj, përkatësisht në mos vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse.
Se ku është “vija e kuqe” mbetet të shihet, megjithëse komentatorë politikë botërorë thonë se “Serbisë i është ngushtuar e tërë hapësira e manovrimit”./Reporteri.net/