Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin ka folur për qëndrimin e Rusisë rreth idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur lidhur me këtë çështje, Karpushin tha se ky është një projekt amerikan për të cilin Rusia nuk ka diskutuar ndonjëherë, shkruajnë mediat shqiptare, transmeton Reporteri.net.
“Nuk e kam shumë të qartë se përse ju më kërkoni mua, përfaqësuesit të Rusisë, të komentoj një ide e cila promovohet nga zyrtarë amerikanë. Siç mund ta mbani mend, fillimisht, në gusht 2018, për zbatimin e mundshëm të këtij skenari ka folur këshilltari i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare John Bolton, ndërkohë që më pas, në fillim të marsit 2019, për këtë ka folur zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit Matthew Palmer”, u shpreh ambasadori rus në Tiranë, në A2 CNN.
Karpushin ka shtuar se Rusia i mbështet plotësisht bisedimet aktuale midis Beogradit dhe Prishtinës dhe se është e gatshme të pranojë çdo zgjidhje reciprokisht të pranueshme që palët do të arrijnë përmes dialogut dhe në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. /Reporteri.net