Ish-bashkëpunëtori i Behgjet Pacollit, Valon Lluka është arrestuar nga Policia dhe është ndaluar për 48 orë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Lajmin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Kaltrina Shala.

Shala tha ndalimi i Llukës, është bërë pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale ‘’mashtrimi’’, ‘’shpërdorim i pasurisë së huaj’’, ‘’keqpërdorim i autorizimeve ekonomike’’ dhe, ‘’lidhja e kontratës së dëmshme’’.

Reklamë

‘’Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, nga neni 323, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, nga neni 318, “Keqpërdorim i autorizimeve ekonomike”, nga neni 284, dhe për veprën penale “Lidhja e kontratës se dëmshme” nga neni 285 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Lidhur me rastin në fjalë, Prokurori i çështjes në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor, do të shqyrtoje mundësinë për caktimin e ndonjërën prej masave të sigurisë ndaj të pandehurit.’’, ka thënë ajo për Reporteri.net.

Më 21 gusht 2026, Behgjet Pacolli kishte bërë publike pretendime lidhur me ish-drejtorin e Mabetex Holding dhe ish-administratorin e VIA-s, Valon Lluka.

Pacolli kishte pretenduar se Lluka ishte përfshirë në raste të dyshuara për abuzime dhe keqpërdorim të detyrës, duke përmendur pagesa në vlerë prej mbi 1.5 milion eurosh, si dhe një rast tjetër në vitin 2025, ku sipas tij nga kompanitë e Grupit Mabetex ishin bërë pagesa prej rreth 1.6 milion eurosh për një kompani në Abu Dhabi, për shërbime që, sipas pretendimeve të tij, nuk ishin kryer.

Pacolli kishte deklaruar gjithashtu se në Emiratet e Bashkuara Arabe po zhvilloheshin hetime ndaj Llukës lidhur me këto pretendime, si dhe për çështje të tjera që, sipas tij, lidhen me aktivitetet e tij në Mabetex.

“Për mashtrimet rreth Aeroportit të Vlorës, shpresoj se do të trajtohen nga gjykatat e Tiranës pa anshmëri. Në Kosovë poashtu shpresoj të tregojë drejtësia (ashtu si në Emiratet e Bashkuara) dhe t’i hetojnë deri në fund të gjitha këto raste dhe të përcaktojnë përgjegjësinë ligjore për dëmin e shkaktuar nga këto veprime ilegale”, kishte shkruar Pacolli.

Reklamë