Nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po dëshirojnë të komentojnë  përmbajtjen e mesazhit të kandidatit për deputet të kësaj partie, Shkëmb Manaj, të cilin e publikoi dje Gazeta Online Reporteri.net i cili e dërgoi me 3 mars 2025 në grupin e komunikimit të brendshëm, në “WhatsApp”, të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së, ku akuzoi bashkëpartiakët, që janë edhe pjesë e Kryesisë Qendrore të LDK’së, se ia vodhën mandatin e deputetit.

Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar nënkryetarin e kësaj partie, Lutfi Haziri, i cili nuk ka dashur të flas për akuzat e bëra nga Manaj.

“Nuk kam koment”, ka thënë shkurt Haziri për Reporteri.net duke mos dashur fare të flas për këtë çështje.

Reklamë

Para tij, njëjtë është përgjigjur edhe deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Arben Gashi.

“S’kam koment”, është përgjigjur Gashi, përmes një mesazhi për Reporteri.net.

Gazeta Online Reporteri.net ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga deputeti i zgjedhur, Avdullah Hoti, por ai nuk është përgjigjur as në thirrjen telefonike, por as në mesazhin që i është dërguar.

Kujtojmë se pakënaqësitë e tij Hoti i shfaqi në një reagim publik më 18 mars 2025.

Reklamë

“Në votimin me postë, disa kandidatë të listës së LDK-së janë votuar po ashtu joproporcionalisht krahasuar me votimin në Kosovë…Ky fenomen ka krijuar pasiguri në gjithë procesin zgjedhor. Përtej kësaj, në rastin e LDK-së është lënduar kohezioni i brendshëm i strukturave të partisë, si dhe është cenuar besimi i votuesit tradicional të LDK-së dhe integriteti që ka pasur shtëpia jonë politike për 35 vite”, shkroi Hoti në Facebook.

Reporteri.net ka tentuar të marrë përgjigje për këtë çështje edhe nga nënkryetarja e kësaj partie, Doarsa Kica-Xhelili, dhe anëtarët e tjerë Kryesisë së LDK-së, si: Anton Quni, Rrezarta Krasniqi e Besian Mustafa, por nuk janë përgjigjur.