×
  • Lajme
  • Lajme

    Avdullahu shpalos listën e zotimeve të papërmbushura të Kurtit

    Reporteri
    22 Gusht 2022 | 17:05

    Premtoi shpresë e ofroi zhgënjim, ishte fjalia hyrëse dhe përmbyllëse e zëdhënësit të PDK-së, Faton Abdullahu, në vlerësimin e tij për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, transmeton Gazeta Online “Reporteri.net”.

    Avdullahu renditi një sërë temash për të cilat kryeministri Kurti, atëbotë opozitar, kishte qenë tejet vokal – prej uljes së çmimeve të gjërave më elementare ushqimore e deri te projektet madhore kapitale.

    Për atë që zëdhënësi i PDK-së i renditi krejtësisht të kundërta në raport me premtimet e paraqitura ndër vite, ai tha se “qytetarët sot, po jetojnë më keq, më të pasigurt për të ardhmen dhe me frikë për gjendjen e tyre”.

    “Premtoi zbritje të çmimit të energjisë, solli vetëm terr dhe ngritje enorme të çmimit. Premtoi ulje të çmimeve të produkteve ushqimore, të gjitha çmimet po ngriten gjatë qeverisjes së tij. Premtoi që nuk ka dialog pa kushte dhe kërkimfalje të Serbisë, përfundoi në dialog teknik. Premtoi luftë kundër korrupsionit, qeveria e tij përfundoi në shumë afera korruptive dhe mbrojtje të tyre”, shkroi ai në Facebook.

    “Premtoi punësim për të rinjtë, ofroi zhgënjim dhe mbushi dyert e ambasadave me mijëra të rinj e të reja profesionistë.  Premtoi çkapje të bordeve, i mbushi ato me familjarë e militantë partiak.  Premtoi mbulimin e sigurimeve për automjete për bashkatdhetarët, i mashtroi me byrokraci dhe maltretime të turpshme.  Premtoi dialog social me punëtorët, po i injoron dhe nuk po i takon fare sindikatat”.

    Lista e tij vijon edhe më tej.

    “Premtoi mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, po vazhdon të shesë prona shoqërore me valë të reja të privatizimit. Premtoi zhvillim ekonomik, solli vetëm varfërim dhe krizë ekonomike për qytetarët.  Premtoi projekte të mëdha kapitale, ndërsa në gjysmën e mandatit nuk e ka realizuar ende asnjë investim kapital, zero e madhe e progresit”, shkroi zëdhënësi.

    Sipas Avdullahut, të gjitha këto zotime janë bërë në rend të parë që të fitohen vota.

    “Mungesa e kompetentencës dhe dijes po e degradon secilën sferë të jetës politike, shoqërore e shtetërore, çdo ditë. Përtej mashtrimit, qytetarët sot, po jetojnë më keq, më të pasigurt për të ardhmen dhe me frikë për gjendjen e tyre”.

    “Si ta quajmë këtë Kryeministër dhe këtë Qeveri me këto rezultate, me ndryshime drastike mes premtimeve dhe qeverisjes? Keq, shumë keq! Premtoi shpresë ofroi zhgënjim”, përfundoi ai./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!