×
  • Lajme
  • Lajme

    “Baba i tenderëve” humbë betejën në Gjykatën Supreme me sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës

    Reporteri
    20 Dhjetor 2019 | 21:34

    Nexhat Krasniqi, që ndryshe njihet si ‘baba i tenderëve’ ka humbur betejën në Gjykatën Supreme të Kosovës, me sekretarin e përgjithshëm që ishte ushtrues detyre në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.


    Me vendimin e Gjykatës Supreme në fund të muajit nëntor, Nexhat Krasniqi është larguar përfundimisht nga pozita e tij të udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

    Përkundër se Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Gjykata e Apelit, i kishin dhënë përparësi Krasniqit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe në Gjykatën Supreme.

    Në vendimin e siguruar nga Gazeta Sinjali, Nexhat Krasniqi, është larguar përfundimisht nga posti i udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

    “Aprovohet si e bazuar kërkesa për mbrojte të ligjshmërisë e Prokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës, KMLC.nr.138/2019 datë 22.08.2019 dhe ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, CP.nr.2257/2018 datë 22.5.2019, dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac.nr.3056/2019 datë 25.07.2019, ashtu që aprovohet si e bazuar prapësimi i debitorit të përmbarimit të Qeverisë së Kosovës – Ministria e Infrastrukturës, me seli në Prishtinë, i paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë CP.nr.2257/2018 datë 15.04.2019 me të cilin është caktuar përmbarimi i vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë në Kosovë nr.6897 datë 16.11.2018, lihet jashtë fuqie ky aktvendim për caktim përmbarimi, dhe refuzohet si e pabazuar propozimi i kreditorit për lejimin e përmbarimit të këtij vendimi, (vendimit të Këshilli të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë në Kosovë nr.6897 datë 16.11.2018)”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

    Krasniqi që njihet si ‘baba i tenderëve’ ishte treguar mjaftë problematik qysh në fillim të vendimit për t’u larguar nga posti i lartë në Ministrinë e Infrastrukturës. Përkundër vendimit të sekretarit që ishte në postin e ushtruesit të detyrës, ai kishte refuzuar të largohej nga zyra.

    Madje, Krasniqin nuk kishin arritur që ta largonin as Policia e Kosovës, kur përkundër se u ishin ftuar për një gjë të tillë, ata nga zyra nuk kishin arritur ta largonin ‘babën e tenderëve’. Madje ai kishte vazhduar punën normalisht edhe pse ishte shkarkuar.

    Në fakt kjo kishte qenë rezistenca e dytë që ‘baba e tenderëve’ kishte bërë për mos t’u larguar nga posti i tij.

    Rasti i parë kishte qenë kur ai ishte akuzuar në rastin e njohur si MTPT, ku së bashku me Fatmir Limajn dhe të tjerët, Krasniqi akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti, por që për këtë rast ishin shpallur të pafajshëm të gjithë më pas.

    Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit më 12 nëntor të vitit të kaluar kishte marrë vendim që ndaj Krasniqit të “Ndërpritet Marrëdhënia e Punës në Shërbimin Civil’ për shkak të kryerjes së veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”.

    Përballjet për vendimin që t’i ndërpritet marrëdhënia e punës, kanë përfunduar në nëntor të këtij viti, kur për Krasniqin është vendosur të largohet nga ai post për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!