Grupi i Bankës Botërore, ka publikuar raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor. Në të, përfshihet edhe Kosova, ku janë publikuar të dhëna rreth situatës ekonomike në këtë vend.
Në raport thuhet se, ‘’presionet në rritje të çmimeve po rëndojnë aktivitetin duke gërryer fuqinë blerëse, veçanërisht për më të cenueshmit’’.
Po ashtu, thuhet se, rritja ekonomike pritet të qëndrojë në 3.6 përqind për vitin 2026 dhe të jetë mesatarisht rreth potencialit të saj prej 3.8 përqind në afat mesëm.
Në raport, shtohet se, varfëria pritet që të vazhdojë rënien, porse, çmimet e larta të ushqimit mbeten ‘’një rrezik i rëndësishëm’’.
‘’Parashikohet që varfëria të vazhdojë të bjerë, por çmimet më të larta të ushqimit mbeten një rrezik i rëndësishëm, pasi ushqimi përbën 64 përqind të konsumit total për dhjetë përqindëshin më të varfër të popullsisë’’, thuhet në raportim.
