Me mbështetjen e BE-së dhe Suedisë, dy nisma vullnetare në Prishtinë dhe Partesh kanë bërë bashkë të rinj dhe banorë për të përmirësuar hapësirat e përbashkëta. Në Prishtinë, banorët iu bashkuan vullnetarëve për të pastruar disa lagje, ndërsa në Partesh, të rinjtë mbollën 30 pemë.
Të dyja nismat u mbështetën përmes granteve për vullnetarizëm, në kuadër të një programi të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Suedia dhe të zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM).
Në Prishtinë, nisma lokale Studio Space ka angazhuar vullnetarë për përmirësimin e mjedisit ku jetojnë, përmes projektit Lagje të pastra, komunitet i bashkuar.
Grupi ka organizuar aksione pastrimi në lagje të ndryshme të qytetit, duke angazhuar rreth 30 vullnetarë përmes rrjeteve sociale dhe kontakteve me komunitetin. Deri më tani janë pastruar shtatë lagje, ndërsa aksione të tjera janë planifikuar edhe në dy lagje.
Aksioni i fundit u mbajt në Lakrishtë, ku vullnetarët vazhduan pastrimin pavarësisht shiut.
“Këto pastrime i kemi filluar sepse, si komunitet, e kemi parë të nevojshme të bëjmë diçka për ta përmirësuar qytetin ku jetojmë. Këtu jemi që nga ora nëntë e mëngjesit dhe kemi pastruar. Në fillim ishim dhjetë vullnetarë, por na janë bashkuar edhe banorët e lagjes, të cilët kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar”, tha Endritura Gllogjani nga Studio Space.
Duke folur për mbështetjen që ka marrë nisma, ajo shtoi:
“Fillimisht, si vullnetarë, pastruam në dy pika, por më pas e pamë të nevojshme të kërkojmë ndihmë edhe nga partnerët. Ndër ata që na kanë ndihmuar janë KCSF-ja dhe Bashkimi Evropian, të cilët na e kanë bërë të mundur ta vazhdojmë dhe ta zgjerojmë nismën e pastrimit në nëntë lagje.”
Në Partesh, nisma qytetare Youth Decide!, e mbështetur nga BE-ja dhe e udhëhequr nga Stefan Stojanoviç, i ktheu njohuritë për demokracinë lokale në veprim përmes një aktiviteti të mbjelljes së pemëve.
Tridhjetë pjesëmarrës që kishin ndjekur më parë Shkollën e Demokracisë Lokale i vunë në praktikë njohuritë e fituara përmes aktivitetit Adopto një pemë, duke mbjellë 30 pemë. Në secilën pemë u vendos një etiketë me emrin e njërit prej pjesëmarrësve, si shenjë e angazhimit personal për t’u kujdesur për të dhe për të kontribuar në një mjedis më të gjelbër.
“Siç e dimë të gjithë, pema, përkatësisht vetë akti i mbjelljes së pemëve, simbolizon fillimin e një jete të re. Ky aktivitet simbolik i mbjelljes së një peme ka pikërisht për qëllim që, para së gjithash, t’i nxisë të rinjtë të angazhohen në aktivizëm, e më pas edhe të bëjmë diçka të dobishme për shoqërinë në të cilën jetojmë”, tha Stojanoviç.
Për Dren Pukën, drejtor ekzekutiv i KCSF-së, mbështetja e vullnetarizmit lidhet edhe me nxitjen e pjesëmarrjes qytetare.
“Përkrahjen për vullnetarizëm e shohim në kuadër të demokratizimit të shoqërisë në përgjithësi dhe krijimit të një shoqërie më të shëndetshme. Krijimi i hapësirave ku njerëzit takohen dhe angazhohen për diçka që shkon përtej interesit individual mundëson edhe sfidimin dhe ballafaqimin me mendime të tjera, por po ashtu edhe ndërtimin e besimit se përmes angazhimit kolektiv mund të arrihen disa gjëra të cilat, në forma të tjera, nuk do të kishin as mundësinë të adresoheshin”, tha Puka.
Bashkimi Evropian, si ofruesi më i madh i ndihmës financiare për Kosovën, me mbi 3.7 miliardë euro të investuara që nga viti 1999, vazhdon të mbështesë shoqërinë civile dhe nismat lokale që nxisin vullnetarizmin, forcojnë pjesëmarrjen qytetare dhe kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve në mbarë Kosovën.