×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Tregti e lirë

    Bëhet dërgesa e parë drejt Zvicrës në kuadër të Marrëveshjes Kosovë–EFTA

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 8:32

    Më pikën doganore Dheu i Bardhë, është përcjellë drejt Zvicrës dërgesa e parë në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s. Dërgesa përbëhet nga shtëpi modulare të prodhuara në Pejë.

    Dërgesa shënon një nga hapat e parë konkretë në zbatimin e Marrëveshjes, e cila hyn zyrtarisht në fuqi më 1 tetor 2026. Marrëveshja synon të krijojë kushte më të favorshme për bizneset kosovare dhe të lehtësojë eksportin e mallrave dhe shërbimeve drejt Zvicrës, Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit.

    Në kuadër të marrëveshjes, eksportuesit e produkteve industriale do të përfitojnë nga liberalizimi i tarifave doganore. Për një numër të produkteve bujqësore parashikohen tarifa të reduktuara ose zero, si dhe kuota preferenciale, në përputhje me kushtet e përcaktuara në marrëveshje.

    Marrëveshja përfshin gjithashtu mundësi më të favorshme për eksportin e shërbimeve, duke synuar zgjerimin e pranisë së produkteve dhe shërbimeve nga Kosova në tregjet e vendeve të EFTA-s.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka bërë të ditur se do të vazhdojë të mbështesë bizneset përmes informimit dhe sqarimeve lidhur me mundësitë që ofron marrëveshja, me synim rritjen e eksporteve, krijimin e partneriteteve të reja dhe zhvillimin ekonomik.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!