×
  • Lajme
  • Lajme

    “Beogradi dëshiron një Milorad Dodik edhe në Kosovë” – A po i realizohet Kurtit parashikimi i tij i vitit 2014 sot me Rakiçin?

    Reporteri
    04 Nëntor 2022 | 14:59

    Autor: Xhezair Dashi


    “Kuptojeni një gjë, që serbët formalisht në institucione janë të integruar edhe në Bosnje, por praktikisht në terren janë më të ndarë se kurrë. Besoj që Beogradi po e kërkon një Milorad Dodik edhe në Kosovë. Ende nuk e ka gjetur, mirëpo nëse e kërkon me ngulm siç edhe po vazhdon pa u penguar nga qeveria jonë, edhe do ta gjejnë, do ta prodhojnë dikë të tillë”.

    Ky është një parashikim i Albin Kurtit i vitit 2014 në një intervistë në Rubikon me gazetarin Adriatik Kelmendi teksa elaboronte në hollësi dëmet, që sipas tij, Kosova pëson për aq kohë sa dialogon me Serbinë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Kurti ishte thellësisht i bindur se Beogradi edhe po qe se s’e gjen do ta prodhojë vetë një Milorad Dodik për nevoja të veta destruktive ndaj shtetit të Kosovës e në Kosovë.

     

    Dodik njihet për aspiratat e tij për pavarësimin e Republika Srpska-s, bllokadat ndaj shtetit të BeH-së me lloj-lloj veprimesh të çoroditura për shkëputje nga institucionet qendrore, deri në qëllimin final, e cila, siç kujdeset ta deklarojë thuajse çdo herë, është unifikimi me Serbinë.

    Lista Serbe, partia serbe në Kosovë dhe lideri i saj Goran Rakiç, hiç më larg se dje, e për më shumë se të dhjetën herë, lajmëroi se do të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës. Kësaj here, ai tha se largimi do të jetë i ndjëmentë dhe decidiv.

    A po i realizohet parashikimi i Kurtit për një Milorad Dodik të Beogradit në Kosovë pikërisht gjatë mandatit të Kurtit dhe atë me një ministër të vetë tij?

    Rakiç, prej një zjarrfikësi, në një drejtor të një kompanie për mirëmbajtjen e gjelbërimit dhe pastërtisë së varrezave të Mitrovicës së Veriut, në kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, në Kryetar të Listës Serbe e deri në ministër në Qeverinë Kurti, sot ka ngritur tonet që të ngjajnë në Dodikun.

    Goran Rakiç në Prishtinë

    “Vendi ynë është Serbia, vend tjetër s’kemi, vend tjetër s’duam”, deklarohej Goran Rakiç me t’u zgjedhur kryetar i Listës Serbe në vitin 2017.

    Rakiç, i cili aksionin e gjerë policor kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, aksion ky që kishte përfshirë edhe zona në pjesën veriore të Kosovës, e kishte quajtur “Kristallnacht”, frazë kjo famëkeqe e vrasjes së hebrejve nga nazistët.

    Një frazë e tillë e ligë dhe e papranueshme, shtrembëruese ndaj vetë Holokaustit, megjithatë s’ia kishte marrë vëmendjen kryeministrit kosovar, Albin Kurtit, së paku as për ta qortuar publikisht, e lëre me shkarkuar, shkruan Reporteri.net.

    Kurti madje njëherë ia kishte bërë edhe apologjinë duke e cilësuar si paqeruajtës në rastin e barrikadave në Veri që rezultuat si pasojë e vendosjes së reciprocitetit për targat, përkatësisht vendosjen e ngjitësve në simbolet shtetërore të targave.

    “Me atë çfarë di unë dhe çfarë më ka thënë ai, ai është kujdesur që situata të mos tensionohet”, ishte shprehur kryeministri Kurti në konferencë për media, kur ishte pyetur “pse nuk e shkarkon?” Rakiç’in.

    Këtë të shtune, më 5 nëntor, Goran Rakiç tha se do të propozojë largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në Veri, përfshirë gjyqësinë, policinë e institucionet tjera.

    Ai tha se serbët duhet të “forcojnë dhe ndërtojnë” e institucionet e tyre të veta në bashkëpunim me Serbinë.

    Kjo kreshendo e Rakiç’it erdhi pas supendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili refuzoi të përfillë vendimet qendrore si dhe haptazi bëri thirrje që të mos zbatohen ato nga serbët, për çështjen e lëshimit të fletqortimeve për veturat me targa të paligjshme me akronime “KM, PZ etj”.

    “Të gjithë ne kemi hyrë në institucionet e Kosovës sepse kjo ka qenë pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, dhe duke pasur parasysh se Prishtina nuk i respekton marrëveshjet e nënshkruara, është e qartë se nuk kemi çfarë të kërkojmë në ato institucione sepse është e qartë se Prishtina shkel secilën prej tyre”, është deklaruar Rakiç përmes një deklarate për media.

    Kurti nuk është deklaruar gjer më sot për ministrin problematik të tij dhe thirrjet sabotuese të tij./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!