×
  • Lajme
  • Lajme

    Biznesmeni Latif Kryeziu kërcënon drejtorin e Reporterit Bekim Kabashi

    Reporteri
    12 Mars 2020 | 23:52

    Gazeta Online “Reporteri.net” denoncon publikisht veprimin kërcënues dhe mafioz të biznesmenit Latif Kryeziu, pronari i “AL Petrol ShPK” (Shell Kosova), ndaj Drejtorit të mediumit Bekim Kabashi dhe familjes së tij.


    Sot (e enjte) rreth orës 19:00, pronari i ‘AL Petrol’, Latif Kryeziu, i shoqëruar edhe nga një person tjetër kanë shkuar në shtëpinë e drejtorit të Gazetës Online ‘Reporteri’’, Bekim Kabashi. Kryeziu ka lënë një porosi tek prindërit e Kabashit.

    “Bekimi ka vepru keq”, ka qenë porosia e biznesmenit Latif Kryeziut lënë për prindërit e Bekim Kabashit në shtëpinë e tyre në Rahovec.

    Ky veprim i Kryeziut është akt kërcënues, i paprecedent dhe tejet shqetësues. Kjo po ndodhë katër ditë pas publikimit të artikullit në Gazetën Online “Reporteri.net”, “Pikat e karburanteve SHELL Kosova nuk shesin derivate të gjigantit holandez ‘SHELL’“.

    Disa minuta pasi ka qëndruar në shtëpinë e drejtorit Kabashi, Kryeziu i ka shkruar në telefon drejtorit të Reporterit, përmes Whatsapp-it, duke përdorur edhe aty gjuhë kërcënuese ndaj tij dhe gazetës Reporteri.

    “Mjer ju çka keni me përjetu”, i ka shkruar ai ndër tjera gazetarit Bekim Kabashi.

    Por, historia e këtij kërcënimi deri edhe në familje, nuk fillon këtu. Paraprakisht, sot rreth orës 17:00, në numrin e redaksisë së Reporteri.net është pranuar një telefonatë nga e cila një person kërkonte të bisedonte me Bekim Kabashin. Personi është prezantuar me emrin Driton, duke thënë se “ka për t’ja sjellë një Wiski të fortë nga Londra, 25 vjet të vjetër”.

    Gjatë bisedës me njërin nga gazetarët e Reporterit, personi ka pyetur nëse Kabashi është me prejardhje nga Istogu apo Rahoveci. Me të shpjeguar se nga vjen, ai ka ndërprerë telefonatën.

    Me të marrë informacionin se është vizituar familja e tij dhe i është lënë porosi, por edhe kërcënimet që ka marrë në adresë të tij dhe të redaksisë, drejtori Bekim Kabashi ka denoncuar rastin në polici rreth orës 20:00. Me rastin e hapur po merret Departamenti i Krimeve të Rënda i Policisë së Kosovës.

    Redaksia e Gazetës Online ‘Reporteri.net’ e dënon ashpër këtë veprim mafioz të biznesmenit Latif Kryeziu. Ne kërkojmë nga organet e sigurisë që ta trajtojnë me seriozitet të lartë këtë kërcënim ndaj Kabashit dhe familjes së tij.

    Dëshirojmë të theksojmë se Reporteri.net ka qenë në vazhdimësi i hapur për komunikim profesional e korrekt me kompaninë në pronësi të Kryeziut.

    ‘AL Petrol’ ka pasur të gjitha kontaktet e gazetës dhe të gazetarit që ka trajtuar këtë temë. Madje, gazetari që ka trajtuar temën në fjalë, ka qenë edhe në zyrat e ‘AL Petrol’ për t’ia dhënë të gjithë mundësinë kompanisë në fjalë që të japë versionin e vetë rreth dyshimeve se karburantet që shiten në pikat e Shell Kosova importohen nga rafineritë e ndryshme e jo nga ato të markës së njohur holandeze ‘Shell’.

    Po ashtu, të gjitha të dhënat për redaksinë e Gazetës Online “Reporteri.net”, e cila botohet dhe është në pronësi të “R Media LLC”, janë publike, të botuara në faqen www.Reporteri.net, sikurse edhe në ARBK. Aty përfshihen edhe kontaktet e Kabashit.

    Një kërcënim i tillë, si gjithmonë vetëm na bën më të fortë për të qenë në shërbim të informimit të drejtë, profesional e të paanshëm, duke mos u dorëzuar para asnjë kërcënimi apo çfarëdo veprimi tjetër.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!