×
  • Lajme
  • Lajme

    Borrell s’ka shumë për të thënë, përveç se “palët do të jenë përgjegjëse për çfarëdo përshkallëzimi”

    Reporteri
    18 Gusht 2022 | 17:22

    “Takimi i sotëm nuk ishte as normal e as i rregullt”, deklaroi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, pas përfundimit të takimit të Nivelit të Lartë mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksnadër Vuçiç, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Borrell nuk kishte shumë për të thënë, pasi siç tha, palët nuk mund të përafroheshin në pajtime për marrëveshje, por që u shpreh se ndonëse nuk kishte progres BE “nuk do të dorëzohet”.

    Për çfarë u shpreh më decidivisht kryediplomati evropian ishte ajo që “palët do të jenë përgjegjëse për çfarëdo përshkallëzimi”.

    “Është përgjegjësi e të dy liderëve që çështjet t’i trajtojnë me mirëbesim”, tha Borell, derisa shtoi se “stabiliteti duhet të mbizotërojë në veri të Kosovës”.

    Përshkallëzime të mëtejme të situatës Borell tha se assesi s’bën të ketë, e veçanërisht jo “në këtë kohë kritike që nga pushtimi rus i Ukrainës”.

    Referuar situatës aktuale, shefi i diplomacisë evropiane pohoi se “jemi ballë tensioneve në Veri të Kosovës”.

    “Nuk është momenti që të rrisim tensionet, por të ulemi e të gjejmë zgjidhje. Liderëve u thash se takim ishte takim për zgjidhje krizash”.

    Josep Borrell për takimin mes Kurtit dhe Vuçiç, tha se u ka dhënë hapësirë që “të diskutojnë në detaje për marrëveshje gjithëpërfshirëse”.

    “Mendoj se Kurti dhe Vuçiç e kuptuan që alternativë tjetër përpos dialogut nuk ka”, derisa tha se e kupton se “ka dallime mes palëve”.

    Një gjë për çfarë Borell tha se palët u pajtuan është ajo se “procesi i bisedimeve duhet të vazhdojë kohëve në vijim”.

    Dialogun Kosovë-Serbi për normalizim të marrëdhënieve që për qëllim ka arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, Borell tha se “do ta kem lart në agjendën time”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Takimi i sotëm në Bruksel erdhi si rrjedhojë e tensioneve në Veri të Kosovës pas vendimit të qeverisë kosovare për të iniciuar dy masa të reja reciproke me Serbinë.

    Qeveria e Kosovës vendosi të nis reciprocitet rreth dokumentave hyrëse/dalëse për shtetasin serbë që duan të hyjnë në Kosovë, si dhe ndalimin e targave të paligjshme që MPB-ja serbe lëshon për veturat e serbëve në Kosovë.

    Qeveria ka kërkuar që të gjithë t’i kthejnë targat e tyre ilegale “KM, etj” t’i kthejnë në RKS të Republikës së Kosovës.

    Beogradi politik, vendime të tilla i ka quajtur si tentim “për t’i dëbuar serbët nga Kosova” si dhe instrumentalizuar rezistencë lokale në Veri të Kosovës kundër vendimeve të qeverisë kosovare. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!