×
  • Lajme
  • Botë / Mbledhja e të dhënave

    A është TikToku rrezik i vërtetë për Perëndimin?

    Reporteri
    19 Mars 2024 | 10:49

    Kina ka kritikuar ligjin që është duke u shqyrtuar në Kongresin amerikan, i cili mund të ndalojë përdorimin e TikTokut në SHBA. Shteti kinez e ka cilësuar si ligj të padrejtë, raporton BBC.

    Është vazhdimësi e përplasjeve të kamotshme në lidhje me sigurinë rreth aplikacionit, i cili është në pronësi të një kompanie kineze, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Zyrtarët, politikanët dhe ata që merren me siguri në shtetet perëndimore, kanë bërë thirrje për ndalimin e instalimit të aplikacionit në telefonat e punës.

    Por cilat janë tri shqetësimet e mëdha kibernetike rreth TikTokut dhe si ka reaguar kompania deri më tani?

    Mbledhja e të dhënave

    TikToku është arsyetuar se mbledhja e të dhënave nga aplikacioni është në “vijë me praktikat e industrisë”.

    Kritikët vazhdimisht e kanë akuzuar TikTokun për mbledhjen e madhe të të dhënave. Një raport i publikuar në korrikun e vitit 2022 nga Internet 2.0, kompani australiane, shpesh është përmendur si provë për mbledhjen e të dhënave nga aplikacioni kinez.

    Hulumtuesit kanë studiuar kodin e burimit të aplikacionit dhe kanë raportuar se përmban “mbledhje të tepruar të të dhënave”. Analistët kanë thënë se në mesin e shumë të dhënave që merr TikToku janë edhe vendndodhja, pajisja specifike që është duke u përdorur dhe çfarë aplikacione të tjera ka në atë pajisje.

    Një test të ngjashëm kishte realizuar edhe Citizen Lab dhe kishte ardhur në përfundim se “në krahasim me platformat tjera të rrjeteve sociale, TikToku mbledh të dhëna të ngjashme me ato që ndjekin sjelljen e përdoruesit”.

    Ngjashëm, edhe një raport i Institutit të Georgias për Teknologjinë kishte përmendur se “fakti kryesor është se shumica e rrjeteve sociale dhe aplikacioneve e bëjnë të njëjtën gjë”. Do të thotë mbledhjen e të dhënave.

    TikToku, spiun i Kinës

    TikToku ka insistuar se është kompani plotësisht e pavarur dhe “nuk ka ofruar të dhëna për qeverinë kineze, nuk do ta bënte edhe po t’i kërkohej”.

    Ani pse rrezikon privatësinë, shumë prej përdoruesve e pranojnë se të dhënat u merren sapo të kyçen në rrjetet sociale.

    Në këmbim të këtyre të dhënave, rrjetet sociale ofrojnë shërbime pa pagesë ose i shesin këto të dhëna te kompanitë e tjera, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Mirëpo problemi i kritikëve është se TikToku është në pronësi të një kompanie me bazë në Pekin, “ByteDance”. Facebooku, Instagrami, Snapchati dhe YouTube, për shembull, të gjitha mbledhin të dhëna të ngjashme, por të gjitha janë kompani të themeluara në SHBA.

    Ligjvënësit amerikanë në vitet e fundit kanë pasur të njëjtin mendim: se këto të dhëna të mbledhura nuk do të përdoren për arsye të liga që do ta rrezikonin sigurinë kombëtare.

    Ndërkaq, me një urdhër ekzekutiv gjatë vitit 2020, atëherë presidenti Donald Trump, akuzonte se mbledhja e të dhënave nga TikToku mund t’ia mundësonte Kinës që të “dinte vendndodhjen e punëtorëve federalë dhe kontraktuesve dhe mund t’i përdorte të dhënat për shantazh dhe të kryente spiunazh të korporatave”.

    Deri më tani, provat e mbledhura tregojnë se ky është vetëm një rrezik teorik – mirëpo ka shqetësime pas miratimit të ligjit kinez në vitin 2017.

    Neni 7 i Ligjit për Inteligjencën Kombëtare të Kinës thekson se të gjitha organizatat dhe qytetarët kinezë “duhet të përkrahin, ndihmojnë dhe bashkëpunojnë” me inteligjencën e shtetit.

    Kjo fjali shpesh është cituar nga njerëzit që dyshojnë jo vetëm në TikTokun, por në të gjitha kompanitë kineze.

    TikToku si shpëlarje truri

    TikToku ka argumentuar se udhëzimet për komunitetin “ndalojnë keqinformimin që mund të dëmtojnë publikun, i cili përfshin edhe publikimin e përmbajtjes jo origjinale”.

    Në nëntor të vitit 2022, Christopher Wray, drejtor i FBI-së, u kishte thënë ligjvënësve amerikane se “qeveria kineze mund… të kontrollojë rekomandimin e algoritmit, i cili mund të përdoret për operacionet e ndikimit”. Ky qëndrim është përsëritur disa herë.

    Këto shqetësime kanë marrë përmasa për shkak se TikToku është fort i censuruar në Kinë. Policia e internetit fshin përmbajtjen që kritikon qeverinë ose thirrjet për trazira politike.

    Kritikët kanë argumentuar se TikToku është “kali i Trojës” – ani pse është i padëmshëm, mund të shërbejë si armë e fuqishme në kohë konfliktesh.

    Aplikacioni është i ndaluar në Indi.

    Mirëpo ndalimi në SHBA mund të ketë ndikim të madh në platformë.

    Ndërkaq, Kinës nuk i duhet të shqetësohet për aplikacionet amerikane sepse qasja për qytetarët kinezë është bllokuar që disa vjet./Reporteri.net.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!