Amerikanët po votojnë sot në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, të cilat konsiderohen gjerësisht si një referendum për mandatin e dytë presidencial të Donald Trumpit dhe një mundësi për kundërshtarët e tij që të kufizojnë pushtetin e presidentit, shkruan The Guardian.

Demokratët dhe republikanët kanë intensifikuar fushatat e tyre në ditët e fundit, duke u bërë thirrje votuesve që t’i mbështesin kandidatët e tyre. Në këto zgjedhje vihet në garë kontrolli mbi të dyja dhomat e Kongresit amerikan – Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve – të cilat aktualisht kontrollohen nga republikanët.

Fushata zgjedhore është dominuar nga presidenti amerikan Trump, i cili ka mbajtur dhjetëra tubime në mbarë vendin, duke u bërë thirrje mbështetësve të lëvizjes së tij “Make America Great Again” (MAGA) që të votojnë për kandidatët republikanë, duke e paraqitur votimin si një mbështetje edhe për presidencën e tij.

Reklamë

Historikisht, partia që kontrollon Shtëpinë e Bardhë zakonisht humb ulëse në Kongres gjatë zgjedhjeve të mesmandatit. Demokratët shpresojnë që rënia e mbështetjes për Trumpin të shndërrohet në një valë të madhe votash në favor të tyre, e cila do t’u mundësonte të fitojnë kontrollin mbi të dyja dhomat e Kongresit.

Demokratët synojnë të marrin kontrollin e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve për të kufizuar pushtetin e Trumpit. Gjatë mandatit të tij, presidenti ka ndërmarrë një fushatë të ashpër kundër emigracionit, e cila ka përfshirë arrestime dhe dëbime masive, ka zhvilluar luftë me Iranin, ka vendosur tarifa ndaj importeve të huaja, si dhe ka nisur projekte të mëdha ndërtimore, përfshirë ndërtimin e një salle ballore në Shtëpinë e Bardhë.

Sondazhet e opinionit kanë sugjeruar se demokratët kanë pozita të favorshme për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Megjithatë, rikthimi i kontrollit mbi Senatin paraqet një sfidë më të madhe për ta. Në kuadër të kësaj gare, demokratët kanë synuar të fitojnë disa ulëse që aktualisht mbahen nga republikanët, përfshirë ato në Ohio, Teksas dhe Maine.

Sondazhet e fundit të publikuara të dielën nga gazeta The New York Times dhe Universiteti Siena tregojnë se kandidatët demokratë kryesojnë në pesë nga shtatë garat kryesore për Senat. Këtu përfshihen edhe Teksasi dhe Kansas, dy shtete ku demokratët nuk kanë arritur të fitojnë zgjedhjet për Senat që nga viti 1988, përkatësisht 1932.

Megjithatë, ditët e fundit të fushatës nuk kanë kaluar pa përçarje brenda Partisë Demokratike. Në Michigan, ku gara konsiderohet vendimtare për ambiciet e të dyja partive për kontrollin e Senatit, kongresistja demokrate Haley Stevens, e cila humbi zgjedhjet paraprake të partisë ndaj Abdul El-Sayed, të dielën mbështeti kandidatin e tij republikan, Mike Rogers.

Reklamë

Ky vendim shkaktoi reagime të ashpra nga bashkëpartiakët e saj. Përplasja mes Stevens dhe fushatës së El-Sayed kishte nisur pas një reklame zgjedhore të financuar nga një grup i jashtëm, në të cilën kostoja e lartë e jetesës në SHBA i atribuohej mbështetjes amerikane për Izraelin. Kreu i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, e cilësoi mbështetjen e Stevens për kandidatin republikan si “tradhti të neveritshme”.

“Pavarësisht se me çfarë po përpiqen t’ju shpërqendrojnë, arsyeja është se po ju marrin paratë nga xhepi”, deklaroi El-Sayed të hënën, gjatë një tubimi me qindra mbështetës në Royal Oak të Michiganit.

Përçarja në Michigan erdhi vetëm pak ditë pasi demokratët u përballën me një tjetër zhvillim të pafavorshëm në Alaska. Sipas raportimeve, fushata e kandidates demokrate për Senat, Mary Peltola, ishte përfshirë në përpjekjet për të gjetur një kandidat me emër pothuajse të njëjtë me atë të rivalit të saj republikan, senatorit Dan Sullivan. Peltola ka mohuar se kishte dijeni për një skemë të tillë nga ana e fushatës së saj.

Para publikimit të këtyre raportimeve, Departamenti amerikan i Drejtësisë kishte ngritur padi për të penguar certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve për Senat në Alaska, në rast të humbjes së kandidatit republikan, duke përmendur rrezikun e “ngatërrimit të votuesve” për shkak të pranisë në fletëvotim të dy kandidatëve me emrin Dan Sullivan. Megjithatë, një gjykatës e hodhi poshtë padinë të dielën.

Reklamë

Ndërkohë, Trumpi ka qenë në qendër të fushatës zgjedhore, duke udhëtuar nëpër SHBA dhe duke mbajtur një varg fjalimesh në mbështetje të kandidatëve republikanë. Kjo po ndodh pavarësisht se sondazhet tregojnë se niveli i miratimit të punës së tij si president ka rënë në nivele rekord të ulëta, ndërmjet 33 dhe 37 për qind.