×
  • Lajme
  • Botë

    Biden: Trump shpërndau gënjeshtra për zgjedhjet presidenciale

    Reporteri
    06 Janar 2022 | 17:05

    Presidenti amerikan, Joe Biden mbajti fjalimin në përvjetorin e parë të sulmit mbi Kongresin amerikan nga mbështetësit e Donald Trumpit. Ai tha se kjo ngjarje ndryshoi rrënjësisht Kongresin dhe rriti shqetësimet botërore lidhur me të ardhmen e demokracisë amerikane.

    “Për herë të parë në historinë tonë, një president jo vetëm që humbi zgjedhjet, por ai tentoi që të ndalonte transferimin paqësor të pushtetit, teksa turmat e dhunshme hyn në Kapitol”, tha Biden. “Por, ata dështuan”, shtoi ai.

    “Demokracia u sulmua”, tha Biden gjatë fjalimit të tij të mbajtur në Kapitol.

    “Ne, populli triumfuam”, shtoi ai.

    Presidenti dhe kongresistët demokratë e shënuan përvjetorin e parë të sulmit, duke vizituar një sërë vendesh ku protestuesit sulmuan Kongresin vitin e kaluar, në përpjekje për të ndaluar certifikimin e fitores së Bidenit kundrejt republikanit, Donald Trump.

    Biden tha se ka dallim ndërmjet të vërtetës të asaj që ndodhi dhe narrativit të rremë lidhur me sulmin, përfshirë edhe refuzimet e shumë republikanëve që të pranojnë se Biden fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

    “Unë dhe ju dhe e gjithë bota e pamë këtë me sytë tanë”, tha Biden.

    “Ne duhet të jemi absolutisht të qartë lidhur me atë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë gënjeshtër. Kjo është e vërteta. Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës shpërndau një rrjet gënjeshtrash lidhur me zgjedhjet e vitit 2020”, tha Biden.

    Trump, i cili vazhdon të pretendojë se ka fituar zgjedhjet e vitit 2020, dhe ka lënë të kuptohet se do të garojë në zgjedhjet e vitit 2024, ka mohuar se ka nxitur dhunën.

    Pas një viti, vazhdon hetimi për sulmin ndaj Kapitolit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!