×
  • Lajme
  • Botë

    Bideni lëshon një paralajmërim të ri për Rusinë lidhur me Ukrainën

    Reporteri
    20 Janar 2022 | 22:35

    Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka ripërsëritur të enjten se çdo lëvizje e trupave ruse përtej kufirit të Ukrainës do të përbënte një pushtim, duke thënë se Moska do të “paguante një çmim të rëndë” për një veprim të tillë.

    Paralajmërimi i tij i ashpër për presidentin rus Vladimir Putin ishte një përpjekje tjetër për të pastruar çdo konfuzion në lidhje me pozicionin e SHBA-së dhe aleatëve të saj të NATO-s, pasi Bideni u kritikua ashpër të mërkurën pasi deklaroi se një “pushtim i vogël” nga Rusia do të nxiste një përgjigje më të vogël.

    “Kam qenë absolutisht i qartë me presidentin Putin. Ai nuk ka asnjë keqkuptim: çdo njësi ruse e grumbulluar e që lëviz përtej kufirit ukrainas, është një pushtim”, ka thënë Biden

    “Le të mos ketë asnjë dyshim, nëse Putini e bën këtë zgjedhje, Rusia do të paguajë një çmim të rëndë”, ka shtuar ai.

    Komentet e tij erdhën ndërsa sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken përgatitet të takohet të premten në Gjenevë me ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov, në një përpjekje të madhe për të lehtësuar tensionet që duket se ka gjasa të dështojnë.

    Të mërkurën, Bideni ka thënë se mendon se Moska do ta pushtojë Ukrainën, dhe e paralajmëroi Putinin se vendi i tij do të paguajë një “çmim të shtrenjtë” për jetët e humbura dhe një ndërprerje të mundshme nga sistemi bankar global nëse e bën këtë

    Por Bideni gjithashtu shkaktoi shqetësim mes aleatëve pasi tha se përgjigja ndaj një pushtimi rus “varet nga ajo që bën”.

    “Është një gjë nëse është një pushtim i vogël dhe më pas ne përfundojmë duke u grindur se çfarë të bëjmë dhe çfarë të mos bëjmë, etj”, tha ai.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ishte në mesin e atyre që shprehën shqetësimin për komentin e Biden-it për shprehjen “pushtim i vogël”.

    “Ne duam t’u kujtojmë fuqive të mëdha se nuk ka pushtime të vogla dhe kombe të vogla. Ashtu siç nuk ka viktima të vogla dhe pak pikëllim nga humbja e njerëzve të dashur”, shkroi ai në Tëitter.

    Më herët, Blinken paralajmëroi në Berlin se do të kishte një përgjigje “të shpejtë, të ashpër” nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nëse Rusia dërgonte ndonjë forcë ushtarake në Ukrainë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!