Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare si pasojë e sulmeve ndaj cisternave në Lindjen e Mesme dhe ndërprerja e pjesshme e prodhimit në Gjirin e Meksikës.
Nafta bruto e llojit Brent u rrit me më shumë se pesë për qind gjatë tregtimit, duke iu afruar nivelit 105 dollarë për fuçi, megjithëse më vonë regjistroi një rënie të lehtë.
Në sesionet e fundit të tregtimit, nafta bruto Brent tregtohej në nivelin rreth 103,7 dollarë, një rritje prej rreth 3,5 për qind krahasuar me ditën e mëparshme, ndërsa nafta amerikane ËTI qëndronte në nivelin rreth 91 dollarë.
Sulmet ndaj cisternave arritën nivelin më të lartë javën e kaluar që nga fillimi i konfliktit SHBA-Izrael me Iranin, dhe trafiku përmes Ngushticës së Hormuzit ra në nivelin më të ulët në më shumë se dy muaj. Sipas të dhënave nga firma analitike Kpler, vetëm shtatë anije mallrash kaluan përmes ngushticës të martën, numri më i ulët që nga 23 korriku.
Një rënie e papritur dhe e mprehtë e rezervave të naftës në SHBA gjithashtu mbështeti rritjen e çmimeve.
Rezervat e naftës bruto në SHBA ranë me 3.2 milionë fuçi javën e kaluar, duke zbritur në 424.1 milionë fuçi, sipas të dhënave nga Administrata e Informacionit të Energjisë së SHBA-së (EIA).