Johan Floderus dhe tani i fejuari i tij Johnathan von Furstenmuhl e kanë mbajtur të fshehtë lidhjen e tyre në kohën kur Floderus, diplomat suedez dhe zyrtar i BE-së, ishte i burgosur në Iran, raporton revista e njohur Politico.
Këtë fshehtësi e kanë mbajtur me qëllim që ai të ishte i sigurt, ka thënë çifti në një intervistë për televizionin suedez TV4 Nyheterna.
Në Iran homoseksualiteti ndëshkohet me vdekje dhe mijëra burra e gra janë ekzekutuar për orientimin e tyre seksual që prej revolucionit islamik të vitit 1979, përcjell gazeta online Reporteri.net.
“Ky lloj i lajmit do të merrte dhenë. Mendova se më e mira për mua ishte ta mbaja private”, ka thënë Johan Floderus. “Ndjenjat e mija të fuqishme për atëherë të dashurin dhe tani të fejuarin Jonathan më kanë mbajtur gjallë”, ka shtuar ai.
Floderus gjithashtu ka folur për përvojën e tij në burgun famëkeq Evin, i cili shërben vetëm për të burgosurit politikë. “Makth”, është përgjigjur shkurt ai.
“Jeta të kalon para syve kur je i shtrirë përtokë, ashtu qëndroje për 24 orë”, ka rrëfyer ai.
Floderus, i punësuar për çështjet e jashtme të BE-së, ishte arrestuar në Iran në prillin e vitit 2022 gjatë një udhëtimi personal për të vizituar miqtë.
Arrestimi i tij nuk është bërë publik deri në shtatorin e vitit 2023 kur prokurorët iranianë e akuzuan për spiunazh, ani pse nuk ofruan prova për këto akuza.
Ai është liruar në qershorin e këtij viti si pjesë e marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve.
“Të gjithë më pyesin nëse liria duket e pavërtetë. Por duket shumë e vërtetë… mund të ecë më shumë se tre-katër hapa pa goditur hundën për muri. E ndjej diellin në lëkurën time dhe erën në flokët e mi”, ka rrëfyer ai./Reporteri.net./