Nëse furnizimet me naftë mbeten të bllokuara për shkak të luftës me Iranin, disa fluturime të ardhshme në Evropë mund të anulohen, tha sot për Associated Press drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
Evropa ka “ndoshta edhe rreth gjashtë javë karburant për avionë”, tha Fatih Birol, duke përsëritur paralajmërimin e tij nga një podcast i 1 prillit se mungesat e karburantit për avionë dhe naftës (diesel) ka të ngjarë të shfaqen në Evropë gjatë këtij muaji ose në fillim të majit.
Duke folur sot, ai shtoi se për Evropën, nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet, “së shpejti do të dëgjojmë lajme që disa fluturime nga një qytet në tjetrin mund të anulohen si pasojë e mungesës së karburantit për avionë.”
Parashikimi i Birol për një mungesë të karburantit për avionë është pak më optimist krahasuar me një paralajmërim tjetër të fundit: më 9 prill, ACI Europe, që përfaqëson aeroportet evropiane, tha se Evropa ishte vetëm tre javë larg një mungese të tillë.
Kompanitë ajrore kanë filluar tashmë të heqin nga orari disa fluturime më pak fitimprurëse, pasi çmimet e karburantit për avionë janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës.
/Reporteri.net/