×
  • Lajme
  • Botë

    Evropës do t’i duhen 10 vjet për t’u armatosur  

    Reporteri
    12 Shkurt 2024 | 20:17

    Evropës do t’i duhen 10 vjet para se ta mbrojë veten plotësisht, ka vlerësuar shefi i kompanisë më të madhe të mbrojtjes në Gjermani, Rheinmetall. 

    Armin Papperger ka thënë se depot e armatimit pothuajse janë të zbrazëta, përcjell gazeta online Reporteri.net. 

    Komentet e tij i bëri gjatë vizitës së kancelarit Olaf Scholz në fabrikën e armëve në Saksoni. Në këtë vizitë morën pjesë edhe ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius dhe kryeministri danez, Mette Frederiksen.  

    Komentet e Pappergerit janë bërë vetëm një ditë pasi ish-presidenti amerikan Donald Trump nxiti alarmin për Evropën. Republikani i kishte thënë presidentit rus Vladimir Putin se nuk do të mbronte shtetet anëtare të NATO-s që nuk paguanin për aleancën. 

    Kompania Rheinmetall ka deklaruar se do të investojë më shumë se 300 milionë euro në objetet e reja. Ka parashikuar se çdo vit mund të prodhojë deri në 200 mijë predha të artilerisë.  

    Papperger ka thënë se do të duhet kohë e gjatë që të përgatitet kundër agresorit që dëshiron të luftojë kundër NATO-s. 

    “Jemi mirë për tre-katër vjetët e ardhshme, por që të jemi gati, na duhen 10 vjet”, ka thënë ai.  

    “Na duhet të prodhojmë 1.5 milionë predha në Evropë”, ka shtuar ai.  

    Ai ka thënë se pjesa më e madhe e armatimit të Evropës është dërguar në Ukrainë, duke zbrazur depot evropiane.  

    Ai ka theksuar se presidenti rus Putin ka shfaqur ambicie perandorake dhe ka shtuar se “nëse dëshironi paqe, duhet që me sukses të ndalni agresorët”. 

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!