×
  • Lajme
  • Botë

    Franca afër krijimit të koalicionit të instruktorëve ushtarakë për Ukrainën

    Reporteri
    07 Qershor 2024 | 23:10

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, thotë se dëshiron ta finalizojë krijimin e një koalicioni të instruktorëve ushtarakë për Ukrainën, si dhe Kievi t’i fillojë bisedimet e anëtarësimit në BE kah fundi i këtij muaji.

    Duke folur më 7 qershor në një konferencë për media me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, Macron tha se disa partnerë të Francës janë pajtuar tashmë për të marrë pjesë në koalicionin e instruktorëve.

    “Ne do t’i përdorim ditët në vijim për ta finalizuar koalicionin më të madh të mundshëm, për zbatimin e kërkesave të Ukrainës”, tha Macron.

    Kryekomandanti i Ukrainës tha javën e kaluar se i ka nënshkruar dokumentet për t’i lejuar instruktorët ushtarakë francezë të kenë qasje në qendrat stërvitore ukrainase.

    Rusia u përgjigj duke thënë se ata do të jenë “cak legjitim” për forcat ruse.

    Në një konferencë të përbashkët për media me Zelenskyn, Macron gjithashtu foli edhe për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, duke thënë se Franca “vazhdon ta mbështesë Ukrainën në të gjitha fushat, përfshirë edhe në atë evropiane, duke kërkuar që bisedimet e anëtarësimit të hapen kah fundi i këtij muaji”.

    Macron shtoi se Franca është në anën e paqes, por tha se paqja nuk do të vijë përmes dorëzimit.

    “Ne jemi për paqe, sipas ligjit ndërkombëtar, i cili ua mundëson njerëzve që sulmohen, ta mbrojnë veten”, tha Macron duke iu përgjigjur pyetjeve nëse është koha që të fillojnë bisedimet me Moskën.

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha më herët më 7 qershor në Shën Petersburg se Rusia është e “gatshme për bisedime”, por me kushte, përfshirë marrjen parasysh të “realiteteve të sotme”- duke iu referuar aneksimit të jashtëligjshëm nga Moska të katër rajoneve në juglindje të Ukrainës dhe Krimesë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!