Burri i përgjakur bëri bujë të madhe gjatë muajit maj kur mallkonte grupin e Hamasit.
“Jam doktor akademik”, thoshte ai në video. “Kisha jetë të mirë, pastaj ne kishim lidershipin e egër të Hamasit. U mësuan me gjakderdhjen tonë. Zoti i mallkoftë. Fundërrina”, shkruan BBC.
Videoja – e paimagjinueshme para luftës në Gaza – ishte shkrepur jashtë një spitali të stërmbushur me qindra viktima palestineze pas një operacioni ushtarak të Izraelit për të liruar pengjet.
Pak sekonda para se të përfundonte videoja, ai i kthehet turmës.
“Jam si ju, por ju jeni frikacakë. Mund ta kishim shmangur këtë sulm”, u drejtohet ai palestinezëve.
Videoja mori dhenë. Dhe nuk është e vetmja, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Kritikat e hapura ndaj Hamasit janë shpeshtuar në Gaza, si nëpër rrugë ashtu në internet.
Dikush publikisht kritikoi Hamasin për fshehjen e pengjeve nëpër apartamentet afër një tregu të stërmbushur, ose për lansimin e raketave nga zonat me civilë.
Banorët kanë thënë se sharjet dhe mallkimet ndaj udhëheqësve të Hamasit janë gjëra të zakonshme nëpër pazar dhe disa bartës të gjësendeve me gomarë – u kanë lënë kafshëve emrat e liderit të Hamasit – Yahya Sinwar. Kur i urdhërojnë gomarët të ecin përpara gjithmonë u bërtasin: “Yallah, Sinwar!”.
Njerëzit thonë gjëra si: ‘Hamasi na ka shkatërruar’, ose i luten Zotit që t’ua marrë shpirtin”, thotë një palestinez.
Shumë prej tyre u kanë bërë thirrje liderëve që të pajtohen për armëpushimin me Izraelin.
Ka shumë që i janë besnikë Hamasit dhe pas shumë vitesh shtypjeje dhe kontrolli. Është e vështirë se sa e ka humbur kontrollin Hamasi, ose sa kanë frikë kundërshtarët e grupit që të flasin kundër tyre.
Mirëpo një zyrtar i lartë i Hamasit privatisht i ka thënë BBC-së para një muaji se grupi po humbte përkrahjen si rezultat i luftës.
Ky zyrtar ka thënë se sulmet e Hamasit ndaj Izraelit ishin çmenduri.
Ka kërkuar që t’i fshihet identiteti.
“E di nga puna ime me qeverinë e Hamasit se ishte përgatitur mirë për sulmin ushtarak, por neglizhoi Gazën”, thotë ai.
“Ata nuk ndërtuan strehë për të siguruar njerëzit, nuk ruajtën ushqim, karburante dhe pajisje mjekësore. Nëse familja ime i mbijeton kësaj lufte, unë do të largohem nga Gaza që në rastin e parë”, rrëfen ai.
Kundërshtim ndaj Hamasit kishte shumë kohë para luftës, ani pse zërat kritikë ishin të fshehur nga frika se do të eliminoheshin.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se numri i palestinezëve të vrarë gjatë luftës pothuajse nëntëmujore ka kaluar shifrën prej 38.000.
Kjo ministri tha se në 24 orët e fundit, në spitale janë dërguar trupat e 58 viktimave, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave të arrijë në 38.011.
Po ashtu, autoritetet shëndetësore në Rripin e Gazës thanë se më shumë se 87.000 persona janë plagosur gjatë luftimeve.