×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Irani dhe SHBA pajtohen për një armëpushim dyjavor me kusht hapjen e Ngushticës së Hormuzit

    Reporteri
    08 Prill 2026 | 6:50

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se ka rënë dakord për një armëpushim të propozuar dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit, nëse trafiku detar lejohet të kalojë përmes Ngushticës së Hormuzit.

    Trump tha se armëpushimi dyjavor varet nga rihapja e ngushticës nga Irani. Nga ana e tij, Irani propozoi një plan 10-pikësh për t’i dhënë fund luftës, i cili përfshin “kalim të kontrolluar” përmes ngushticës, të koordinuar nga forcat e armatosura të Iranit.

    Plani i Iranit gjithashtu kërkon kompensim për dëmet dhe tërheqjen e forcave amerikane nga “të gjitha bazat dhe pozicionet në rajon”. Në mediat sociale, Trump e quajti planin “të zbatueshëm”.

    Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, thotë se Teherani do të pranojë përfundimin e luftimeve “nëse ndalohen sulmet kundër Iranit”.

    Izraeli thotë se e mbështet vendimin e Trump për të pezulluar sulmet ndaj Iranit, por armëpushimi dyjavor “nuk përfshin Libanin”.

    Presidenti amerikan kishte vendosur një afat deri në orën 20:00 të së martës për një marrëveshje, përndryshe, ai tha se  “një qytetërim i tërë do të vdesë”.

    Pakistani, i cili ka vepruar si ndërmjetës, i kërkoi Trumpit të zgjasë afatin për dy javë dhe ka ftuar të dyja palët për bisedime në Islamabad të premten.

    Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm pas njoftimit të armëpushimit, duke u tregtuar tani dukshëm nën 100 dollarë për fuçi.

    Shtëpia e Bardhë e ka e quajtur atë një “fitore” për Shtetet e Bashkuara.

    “Kjo është një fitore për Shtetet e Bashkuara që Presidenti Trump dhe ushtria jonë e jashtëzakonshme e bënë të mundur,” shkroi Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

    “Suksesi i ushtrisë sonë krijoi presion maksimal, duke i mundësuar Presidentit Trump dhe ekipit të angazhohen në negociata të vështira, të cilat tani kanë krijuar një hapje për një zgjidhje diplomatike dhe paqe afatgjatë”, shkroi ajo./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!