×
  • Lajme
  • Botë

    Izraeli e konfirmon praninë e ushtrisë në Rafah

    Reporteri
    31 Maj 2024 | 18:50

    Ushtria izraelite ka konfirmuar të premten se forcat e saj janë duke vepruar në pjesët qendrore të qytetit Rafah, në përpjekje për ta zgjeruar ofensivën ushtarake në qytetin jugor të Rripit të Gazës.

    Izraeli e nisi ofensivën tokësore në këtë qytet më 6 maj, duke i detyruar rreth 1 milion palestinezë të ikin nga qyteti për të kërkuar strehim gjëkundi. Ofensiva gjithashtu ua ka pamundësuar agjencive të OKB-së për ndihma të kryejnë misionet e tyre në këtë pjesë, transmeton REL-i.

    Por presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se Izraeli nuk i ka kaluar “vijat e kuqe”, pasi e ka paralajmëruar atë kundër pushtimit të plotë të këtij qyteti.

    Njoftimi i ushtrisë izraelite të premten lë të kuptohet se trupat e saj kanë vepruar në shumicën e pjesëve të Rafahut. Në javët e para të ofensivës, forcat izraelite u përqendruar në rrethinat dhe zonat lindore të Rafahut, në afërsi të kufirit me Egjiptin.

    Trupat izraelite e uzurpuan pikëkalimin kufitar Rafah më Egjiptin në ditën e parë të ofensivës dhe më vonë e morën kontrollin edhe të “Philadelphi Corridor”, një rrugë që shtrihet përgjatë tërë kufirit mes Gazës dhe Egjiptit në pjesën palestineze.

    Në njoftimin e së premtes, ushtria tha se trupat e saj në qendër të Rafahut kanë gjetur raketahedhës dhe tunele, si dhe e kanë shkatërruar një depo armësh të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.

    Ajo nuk tregoi se ku saktësisht po kryente operacione ushtria në Rafah, por në bazë të njoftimeve të kaluara dhe dëshmitarëve, operacionet janë kryer në kampin e refugjatëve Shaboura dhe në pjesët e tjera afër qendrës së qytetit.

    Izraeli ka thënë se pushtimi i Rafahut është jetik në përpjekjet e tij për ta shfarosur Hamasin, pasi ky grup e kreu një sulm befasues në Izrael më 7 tetor, ku vrau 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe rrëmbeu rreth 250 të tjerë.

    Lufta izraelite në Gazë prej atëherë i ka vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!