Të paktën katër persona, mes tyre një foshnjë vetëm dy muajshe, kanë humbur jetën pas shpërthimit të një kamioni të mbushur me eksploziv pranë një objekti ushtarak në Planadas, në perëndim të Kolumbisë.
Lajmi u konfirmua nga guvernatorja e Tolimës, Adriana Magali Matiz, e cila konfirmoi bilancin paraprak të viktimave përmes një postimi në rrjetin social “X”.
Ajo e dënoi sulmin, duke e cilësuar shpërthimin si të papranueshëm, ndërsa kërkoi masa të vendosura për të vënë para drejtësisë përgjegjësit.
Edhe Divizioni i Pestë i Ushtrisë së Kolumbisë reagoi ndaj ngjarjes, duke e cilësuar atë si një akt terrorist dhe një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut. Sipas ushtrisë, sulmi rrezikoi jetën e civilëve dhe të personelit ushtarak të dislokuar në zonë.
Deri më tani, asnjë grup i armatosur nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin. Zona jugore e Tolimës është përballur prej vitesh me pasiguri dhe përplasje të lidhura me fraksionet disidente të ish-guerriljes FARC.
Komandantët ushtarakë kolumbianë u kanë atribuuar më herët këtyre grupeve edhe sulmet me dronë të kryera në Planadas gjatë muajit gusht.
Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve vijojnë.