×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Koreja e Veriut lëshon raketa të tjera balistike, zbeh shpresat e Seulit për uljen e tensioneve

    Reporteri
    08 Prill 2026 | 14:41

    Koreja e Veriut i ka lëshuar disa raketa balistike të mërkurën, njoftoi ushtria e Koresë së Jugut. Shtimi i testimeve raketore ia ka zbehur shpresat Seulit për uljen e tensioneve.

    Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Koresë së Jugut (JCS) tha se Koreja e Veriut lëshoi një raketë tjetër të paidentifikuar në mëngjes herët të mërkurën nga zona e Uonsanit, drejt ujërave në bregun lindor të saj.

    Në orët e para të së mërkurës, Koreja e Veriut kishte lëshuar disa raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, gjithashtu nga e njëjta zonë, sipas JCS-së.

    Raketat përshkuan rreth 240 kilometra, ndërsa autoritetet e Koresë së Jugut dhe të Shteteve të Bashkuara po kryejnë një analizë të hollësishme rreth tyre.

    Ushtria e Koresë së Jugut tha gjithashtu se kishte zbuluar lëshimin e një rakete të dyshuar balistike nga afër Phenianit të martën.

    Shtëpia e Kaltër presidenciale e Koresë së Jugut thirri takim urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të mërkurën, duke i cilësuar lëshimet e mëparshme si provokim që shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sipas raportimeve mediatike.

    Ajo i bëri thirrje Phenianit t’i ndalë testimet e tilla.

    Roja Bregdetare e Japonisë tha se raketa e fundit ra në det rreth 10 minuta pas lëshimit.

    Tokio theksoi se asnjë raketë nuk hyri në ujërat territoriale apo në zonën ekskluzive ekonomike.

    Veprimet e Phenianit “kërcënojnë paqen dhe sigurinë në rajon dhe në komunitetin ndërkombëtar”, tha sekretari i përgjithshëm i Kabinetit të Japonisë, Minoru Kihara.

    Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap të Koresë së Jugut, e cila citoi zyrtarë ushtarakë, objekti i lëshuar të martën ka mundësi të ketë qenë raketë balistike që fluturoi drejt lindjes, por shfaqi shenja anomalie në fazën e hershme të fluturimit dhe më pas u zhduk.

    Kjo nënkupton se Koreja e Veriut i ka lëshuar gjashtë raketa balistike këtë vit, pas dy lëshimeve në janar dhe një tjetri në mars.

    Koreja e Jugut zakonisht njofton menjëherë për lëshimet e raketave balistike nga Koreja e Veriut, pasi teste të tilla shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër programit raketor të Veriut.

    Pheniani e kundërshton këtë ndalim të OKB-së dhe thotë se ai cenon të drejtën e tij sovrane për vetëmbrojtje./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!