Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk ka paralajmëruar se Evropa ka hyrë në “periudhën e paraluftës” dhe nëse Ukraina mposhtet nga Rusia, askush në Evropë nuk do të jetë në gjendje që të ndihet i sigurt.

“Nuk dua ta frikësoj askënd, por lufta më nuk është koncept nga e kaluara”, ka thënë ai për mediat evropiane. “Është reale dhe ka nisur para më shumë se dy vjetësh”, raporton BBC.

Qëndrimet e tij i ka shpalosur në ditën kur Rusia ka realizuar fushatën e re ajrore ndaj Ukrainës. Në javët e fundit, Rusia ka intensifikuar bombardimet ndaj Ukrainës, përcjell gazeta online Reporteri.net.

Reklamë

Të premten, forcat ajrore të Ukrainës kanë njoftuar se kanë rrëzuar më shumë se 58 dronë dhe 26 raketa. Cak i këtyre raketave dhe dronëve ishte infrastruktura energjetike e Ukrainës. Kjo infrastrukturë është dëmtuar në gjashtë rajone të Ukrainës.

Kompania shtetërore energjetike e Ukrainës ka njoftuar për mungesë të energjisë në tri rajone – Dnipropetrovsk, Zaporizhzhia dhe Kirovograd.

U ka bërë thirrje ukrainasve që të kursejnë energjinë elektrike.

Tusk, ish-president i Këshillit Evropian, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin tashmë ka fajësuar Ukrainën për sulmin xhihadist në Moskë. Akuzat i ka bërë pa asnjë fakt. “E ndjen nevojën që të arsyetojë sulmet e dhunshme ndaj civilëve në Ukrainë”, ka thënë kryeministri polak.

Ai ka thënë se Rusia e ka sulmuar Kievin me raketa hipersonike gjatë ditës. Kjo ka ndodhur për herë të parë që prej fillimit të luftës.

Reklamë

Ai ka përdorur intervistën me mediat e huaja për t’u bërë thirrje liderëve evropianë që të forcojnë mbrojtjen.

Ai ka thënë se Evropa mund të bëhet partnere atraktive për SHBA-në nëse vetëpavarësohet ushtarakisht, pa marrë parasysh nëse Joe Biden apo Donald Trump fitojnë zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor.