×
  • Lajme
  • Botë

    NATO: Bisedimet e sotme me Rusinë aspak të lehta, por ka shenja pozitive

    Reporteri
    12 Janar 2022 | 18:17

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është deklaruar rreth takimit të sotëm të mbajtur në Bruksel me palën ruse në lidhje me zhvillimet e fundit në Ukrainë.

    Stoltenberg thotë se në takimin e Këshillit të NATO-s me Rusinë pati një bisedë serioze që kryesisht u lidh me ngritjen ushtarake të Rusisë në kufi me Ukrainën dhe implikimet për sigurinë evropiane.

    Siç njoftoi ai, NATO dhe Rusia ranë dakord që të shqyrtojnë një datë për një takim të ardhshëm, derisa shtoi se aleatët janë të gatshëm të paraqesin propozime dhe të kërkojnë rezultate konstruktive.

    “Ky nuk ishte një diskutim i lehtë. Por pikërisht për këtë ishte kaq i rëndësishëm ky takim. Ne patëm një shkëmbim shumë serioz dhe të drejtpërdrejtë për situatën rreth Ukrainës, si dhe implikimet për sigurinë evropiane. Ka dallime të rëndësishme midis aleatëve të NATO-s dhe Rusisë për këto çështje”, ka thënë Stoltenberg në adresimin për shtyp.

    Ai më tej njoftoi se këto dallime nuk janë të lehta për t’u kapërcyer, por se njoftoi se është një shenjë pozitive që të gjithë aleatët e NATO-s bashkë me Rusinë u ulën rreth së njëjtës tryezë dhe u angazhuan në këto tema që janë thelbësore.

    “Sot Rusia ngriti propozimet që publikuan në dhjetor, me qëllim adresimin e shqetësimeve të tyre të sigurisë. Këto përfshijnë kërkesat për të ndaluar pranimin e çdo anëtari të ri në NATO. Dhe për të tërhequr forcat nga aleatët lindorë. Aleatët në anën e tyre riafirmuan politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe e drejta për çdo komb që të zgjedhë aranzhimet e veta të sigurisë”, tha ai.

    Stoltenberg bëri të ditur se aleatët nga ana tjetër e bënë të qartë se nuk do të heqin dorë nga qëllimi i tyre për të mbrojtur njëri-tjetrin, duke përfshirë praninë e trupave në pjesën lindore të Aleancës.

    “Në të njëjtën kohë, Rusia dhe aleatët e NATO-s shprehën nevojën për të rifilluar dialogun dhe për të eksploruar një plan të takimeve të ardhshme. Aleatët e NATO-s janë të gatshëm të takohen sërish me Rusinë për të pasur diskutime më të hollësishme, për të vendosur propozime konkrete në tryezë

    dhe për të kërkuar rezultate konstruktive”, tha më tej Stoltenberg.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!