Ndryshimet klimatike të nxitura nga njeriu kanë nxitur për 35 herë më shumë të nxehtin ekstrem në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Amerikën Qendrore, shkruan BBC.
Grupi botëror i meteorologjisë ka studiuar nxehtësinë mes muajit maj dhe qershor. Gjatë kësaj periudhe valët e të nxehtit janë të përqendruara në shtetet jug-perëndimore si Kalifornia, Nevada dhe Arizona.
Temperaturat ekstreme në Meksikë gjithashtu kanë shkaktuar vdekje gjatë të njëjtës periudhë, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Studimit i duhet ende kohë për t’u përfunduar, prandaj është shumë herët për shkencëtarët që të tregojnë për rolin që janë nduke e luajtur ndryshimet klimatike në valët e të nxehtit që shtrihen nga pjesa qendrore e SHBA-së e deri në verilindje dhe Kanada.
Në raportin e tyre të ri, shkencëtarët kanë deklaruar se valët e të nxehtit tani janë katër herë më të shpeshta sesa në vitin 2000. Këto valë të të nxehtit janë nxitur nga emetimi i gazeve që ngrohin planetin.
Shumë prej ngjarjeve ekstreme të motit siç janë valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta dhe më të fuqishme si rezultat i ndryshimeve klimatike, thonë ekspertët.
“Rezultati i studimit tonë duhet të merret me shumë vëmendje sepse tregon për nxehtësinë në nivele të rrezikshme”, ka thënë Izidine Pinto nga Instituti holandez i Meteorologjisë.
“Temperaturat vdekjeprurëse dhe rekorde janë duke ndodhur më shpesh në SHBA, Meksikë dhe Amerikë Qendrore. Për aq kohë sa njerëzit mbushin atmosferën me gaze, i nxehti do të jetë edhe më i madh dhe njerëzit do të vazhdojnë të vdesin”, ka thënë Pinto.