Hiç më shumë se një orë pas arrestimit nga forcat ruse të sigurisë, Roman Shapovalenko ishte kërcënuar me përdhunim, raporton CNN.
Më 25 gusht të vitit 2022, një ditë pas Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, ai ka dëshmuar se tre ushtarë të armatosur dhe të maskuar nga Forcat e Sigurisë së Rusisë bastisën shtëpinë e tij në qytetin bregdetar të Khersonit. Ky qytet ishte i pushtuar nga forcat ruse.
Ai kthyen shtëpinë përmbys në kërkim të provave kundër tij. Një mesazh në telefonin e Shapovalenkos në të cilin i kishte quajtur ushtarët rusë si “orkët”, përbindëshat në kryeveprën e J.R.R Tolkien dhe sharje shumë e popullarizuar e ukrainasve ndaj ushtrisë ruse. Kjo sharje ishte e mjaftueshme. E lidhën, ia mbyllën sytë dhe e futën në një automjet, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Për ditë të tëra Shapovalenko ka thënë se ishte goditur me elektroshok në zonën e organeve gjenitale. Ishte kërcënuar se do të përdhunohej me një shishe të xhamit dhe e kishin bindur se e kishin sterilizuar.
“Ata dukej se kishin një fetish. Shpesh e hapnin derën dhe më thoshin: Do t’i nxjerrim shkopinjtë tanë dhe do t’ju përdhunojmë të gjithëve”, thotë 39-vjeçari për CNN-in.
Duke rrëfyer për tmerrin që e kishte përjetuar, Shapovalenko shpesh pushon dhe qeshet me zë. Ai thotë se humori i tij e ka ndihmuar në rrugën e gjatë drejtë këndelljes. Rusët, thotë ai, e urrenin humorin e tij. “Bëja shaka dhe atyre nuk u pëlqente. Më grushtonin për këtë”.
Përvoja e dhunës seksuale në duart e rusëve është gjë e zakonshme për ukrainasit -përfshirë civilë dhe ushtarë – ata janë arrestuar që nga dita e parë kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës para më shumë se dy vjetësh.
Monitoruesit e të drejtave të njeriut kanë raportuar për përdorimin e madh të dhunës seksuale nga policia ruse kundër të burgosurve dhe të arrestuarve në Rusi. Këto metoda janë duke u praktikuar edhe në zonat e pushtuara të Ukrainës.
Pak burra kanë folur publikisht për vuajtjet e tyre, mirëpo prokurorët ukrainas dhe grupet për të drejtat e njeriut thonë se viktimat burra janë të shumtë. Krimet shpesh nuk raportohen për shkak të stigmës dhe turpit.
Në raportin e fundit të Kombeve të Bashkuara janë dokumentuar 85 raste vetëm gjatë vitit 2023 në Ukrainë. 52 janë burra, 21 gra, një vajzë dhe një djalë.
Nga 60 të burgosur ukrainas të luftës, 39 prej tyre kanë qenë viktima të dhunës seksuale.
CNN-i ka intervistuar katër të mbijetuar. Të gjithë kanë rrëfyer se janë detyruar të zhvishen dhe se ndaj tyre është përdorur elektroshok në zonat e ndjeshme. Shumë shpesh me kabllo elektrik të telefonave sovjetik të njohur si “Tapik”.